• e hënë, 23 dhjetor 2024

Micotakis: Mekanizmi shtetëror po bën gjithçka që mundet për të lokalizuar zjarret e mëdha

Micotakis: Mekanizmi shtetëror po bën gjithçka që mundet për të lokalizuar zjarret e mëdha

Athinë, 17 korrik 2023 (MIA) – Kërkoj nga bashkëqytetarët tanë që t'i zbatojnë udhëzimet e mbrojtjes civile. Shqetësimi ynë i parë është gjithmonë mbrojtja e jetës së njerëzve dhe më pas mbrojtja e pronës dhe mjedisit jetësor, tha kryeministri grek Kirjakos Micotakis për zjarret e mëdha në vend dhe theksoi se “mekanizmi shtetëror po bën gjithçka që mundet për t'u përgjigjur me shpejtësi maksimale dhe t'i lokalizojë zjarret”, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Në deklaratën nga Brukseli, ku po merr pjesë në samitin BE-Amerika Latine dhe Karaibe, Micotakis tha se në vazhdimësi është i informuar për gjendjen me tre zjarret aktive në vend.

“Dëshiroj të siguroj të gjithë bashkëqytetarët tanë që kanë pësuar dëme nga zjarret se mekanizmi shtetëror do të jetë në gatishmëri të plotë për të evidentuar dëmet menjëherë pas shuarjes së zjarreve, në mënyrë që bashkëqytetarët tanë të kompensohen sa më shpejt”, tha Micotakis. 

Në Greqi, tre zjarre janë aktive në tre lokacione të ndryshme, një në pjesën lindore të zonës së Atikës, në rajonin më të gjerë të Athinës, ku një numër shtëpish janë djegur, një tjetër në Peloponez pranë Korintit dhe i treti në zonën Viotia në Greqinë qendrore. ls/

Foto: Kabineti i kryeministrit grek

 

QËNDRONI TË LIDHUR