• e diel, 22 dhjetor 2024

Mickoski: Zgjedhje të parakohshme në maj, ndryshimet kushtetuese janë tradhti

Mickoski: Zgjedhje të parakohshme në maj, ndryshimet kushtetuese janë tradhti

Shkup, 7 janar 2023 (MIA) – Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski sot edhe njëherë e përsëriti se partia e tij mbetet me qëndrimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai pret nga fundi i janarit ose më së voni në fillim të shkurtit të votojë shpërndarjen e Parlamentit, nga mesi i shkurtit të formohet qeveria teknike, ndërsa zgjedhjet të mbahen në gjysmën e dytë të majit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas liturgjisë solemne për Krishtlindje në Kishën “Shën Klimenti i Ohrit” në të cilën mori pjesë, Mickoski pa dhënë emra konkretë, vlerësoi se “një shumicë e madhe e deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së reflektojnë pozitën se dëshirojnë të ketë zgjedhje të parakohshme dhe të vijë fundi i kësaj Qeverie”.

“Ne i qëndrojmë absolutisht kërkesës për zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që vendi të ecë përpara. Le të bashkohemi rreth kësaj dhe të mbështesim zgjedhjet e parakohshme nga mesi ose gjysma e dytë të majit më së voni. Duke e marrë parasysh karakterin e BDI-së dhe LSDM-së, gjyqësorin dhe prokurorinë e opstruuar, metodat që janë të gatshëm të përdorin për të mbajtur kolltuqet e tyre, nuk do të flas me emra. Vlerësoj se ajo që na inkurajon ne dhe qëndrimet e tyre për zgjedhje të parakohshme do të qëndrojë deri në fund dhe nga fundi  i janarit, më së voni në fillim të shkurtit, do të votojmë për shpërndarjen e Kuvendit, formimin e qeverisë teknike nga mesi i shkurtit dhe zgjedhjet në gjysmën e dytë të majit”, tha Mickoski.

Ai i cilësoi ndryshimet kushtetuese si tradhti.

“Nuk është bashkim, është tradhti dhe dikush duhet ta kishte menduar këtë para se ta pranonte. Ne nuk shkuam në zgjedhje duke u premtuar qytetarëve ndryshim të Kushtetutës, nuk shkuam në zgjedhje duke u premtuar qytetarëve nënshkrimin e kapitullimit dhe tradhtisë. Ai që e ka nënshkruar duhet ta dijë se nuk ka kushte për ta realizuar. Është pikërisht një nga ato momente që sjellin përçarje në popullin maqedonas. Por, populli maqedonas është i mençur dhe nëse shikoni të gjitha sondazhet e opinionit publik, do të shihni se një shumicë e madhe, më shumë se tre të katërtat, e kundërshtojnë një akt të tillë. Të jemi të sinqertë dhe të bashkohemi rreth ndershmërisë ndaj qytetarëve dhe për këtë duhen zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare në të cilat secili prej nesh do të dalë me programin dhe mënyrën e vet për zgjidhjen e këtij problemi, ndaj le të vendosin qytetarët. Tani ne e kemi problemin, na e solli kjo Qeveri e BDI-së dhe LSDM-së, dhe tani duhet ta zgjidhim nëse duam të ecim përpara dhe të sigurojmë një shtet që e meritojnë qytetarët tanë”, potencoi Mickoski.

Lidhur me aktgjykimet për selinë e VMRO-DPMNE-së, lideri partiak përmendi se aktgjykimi është i plotfuqishëm.

“Pasi të bëhet i plotfuqishëm, VMRO-DPMNE do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë derisa ajo të arrihet. Një krim i tillë dhe një gjykatë e opstruuar partiake në shkallë të parë solli aktgjykim i cili do të mësohet në tekstet shkollore se si nuk duhet gjykohet”, tha Mickoski.

Ai paraprakisht ua uroi Krishtlindjen të gjithë të krishterëve ortodoksë, duke u dëshiruar paqe, dashuri, shëndet, lumturi dhe respektim të ndërsjellë.

“Këto janë ditë kur duhet të bashkohemi pavarësisht dallimeve tona politike, këto janë ditë kur duhet të japim mesazhin e bashkësisë, për këtë kemi nevojë, jemi popull i vogël, shtet i vogël, vetë të bashkuar dhe nëse respektohemi do të arrijmë drejt qëllimit, të rinjtë të mbeten këtu, vendi të zhvillohet si një shtet evropian modern i dëshiruar nga vetë qytetarët”, tha Mickoski.

QËNDRONI TË LIDHUR