• e premte, 05 dhjetor 2025

Mickoski: Pas zgjedhjeve reset i sistemit, të ndërtojmë shtet juridik dhe gjyqësor të paanshëm

Mickoski: Pas zgjedhjeve reset i sistemit, të ndërtojmë shtet juridik dhe gjyqësor të paanshëm

Makedonski Brod, 6 tetor 2025 (MIA) - Gjyqësori duhet të jetë i paanshëm dhe i palëkundur, gjyqtarët duhet të gjykojnë sipas ligjit, jo sipas ndikimeve, porositi sot kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në tubimin në Makedonski Brod, në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale 2025.

"Momenti që kanë pritur gjeneratat është para nesh, një kohë për të rivendosur sistemin, një kohë për të thyer zinxhirët e padrejtësisë dhe për të ndërtuar një shtet drejtësie, lirie dhe kujdesi për të gjithë. Gjyqësori duhet të jetë i paanshëm dhe i palëkundur, gjyqtarë që gjykojnë sipas ligjit, jo sipas ndikimeve; institucione që mbrojnë, jo ata që heshtin, procedura që rivendosin besimin, jo ata që krijojnë dyshime. Drejtësia nuk duhet të jetë privilegj i disave, por e drejtë e çdo qytetari, e shpejtë, e arritshme dhe efektive. Liria nuk është vetëm fjalë në kushtetutë, por një mënyrë e gjallë jetese: liria e mendimit, liria e fjalës, liria nga frika dhe presioni. Sistemi shëndetësor do të jetë shtylla e këtij vendi - spitale moderne, ilaçe të përballueshme, staf profesional dhe parandalim që mbron familjet, në vend që të lihen të prekshmit vet të luftojnë", tha Mickoski.

Ai theksoi se duhet të vendosen rregulla të qarta, procese transparente dhe tolerancë zero ndaj korrupsionit, i cili, sipas tij, po merr jetë dhe po pengon ndryshimin.

"Ky reset do të jetë i drejtë, por i pamëshirshëm ndaj atyre që abuzuan me njerëzit - ne do të rivendosim përgjegjësinë, do të rivendosim dinjitetin dhe do të ndërtojmë një sistem, të cilit do t'i shërbejmë me krenari. Së bashku do të arrijmë të vërtetën, së bashku do të mbrojmë lirinë, së bashku do të shërojmë institucionet dhe padrejtësia nuk do të jetë kurrë më fati ynë. Nuk mund të presim mëngjesin, derisa frenat e vogla dhe të mëdha e pengojnë punën e shtetit - frenat që janë ndërtuar në institucione, që veprojnë fshehurazi ose hapur. Në të gjitha nivelet, nga shërbimet më të vogla deri te strukturat më të mëdha, ka elemente që funksionojnë si pjesë e një 'shteti të thellë' jo vetëm në një Ministri ose një parti, por në rrjete që ndonjëherë përhapen nëpër parti, institucione dhe, për fat të keq, ndonjëherë nëpër komunitete etnike", tha Mickoski.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të dalin më 19 tetor dhe të votojnë për numrin 9. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR