• e premte, 05 dhjetor 2025

Mickoski për koalicionin me ZNAM dhe VLEN për zgjedhjet lokale: Bisedimet janë konstruktive, të gjitha hollësira do të dihen në gjysmën e dytë të gushtit

Mickoski për koalicionin me ZNAM dhe VLEN për zgjedhjet lokale: Bisedimet janë konstruktive, të gjitha hollësira do të dihen në gjysmën e dytë të gushtit

Shkup, 22 korrik 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski, sot në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve kur do të zyrtarizohet koalicioni me partnerët qeveritarë ZNAM dhe VLEN dhe si do të paraqiten në zgjedhjet lokale, u përgjigj se bisedimet janë konstruktive dhe se pret që procesi të finalizohet në gjysmën e dytë të gushtit.

"Sa i përket paraqitjes në zgjedhjet lokale, bisedimet janë jashtëzakonisht konstruktive, po lëvizin në drejtim pozitiv, pres që pas pushimeve vjetore të kemi kumtesë zyrtare për opinionin. Pres që Qeveria të jetë në pushim vjetor midis 5 dhe 15 gushtit, kështu që analizat do të vazhdojnë gjatë asaj periudhe, bisedimet do të vazhdojnë menjëherë pas 15 gushtit ose gjysmës së dytë të gushtit", tha Mickoski në konferencë për shtyp me përfaqësues të kompanisë turke "Kazanxhi Holding AS".

Informoi se ndërkohë kanë përfunduar bisedimet në kuadër të koalicionit "Maqedonia Jote" dhe se pret se në lidhje me kandidatët për kryetarë të komunave të përkrahen njëri-tjetrin me partnerët nga koalicioni qeveritar.

"Tani po e bëjmë atë analizë, pres që në gjysmën e dytë të gushtit kjo të mbyllet si temë, dhe pastaj mund të dalim me mbështetje për kryetarët e komunave, sepse është e qartë se partnerët qeveritarë do të kenë listat e tyre të këshilltarëve, koalicioni që do ta udhëhiqte VMRO-DPMNE-ja, partia politike ZNAM dhe VLEN është logjike në disa komuna, do të thoja se në të gjitha komunat ne mbështesim njëri-tjetrin në fushën e kryetarëve të komunave, sepse jemi koalicion qeveritar dhe mendoj se do të jetë proces pozitiv që do të përfundojë në gjysmën e dytë të gushtit", potencoi Mickoski.

I pyetur për të komentuar kandidaturën e Bujar Osmanit për kryetar të Komunës së Çairit, kryeministri u përgjigj se kjo është çështje e brendshme e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe këtu nuk ka asgjë për të komentuar. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR