• e enjte, 04 dhjetor 2025

Mickoski: Ne nuk e krijuam "Vardarishten", por do ta zgjidhim dhe "Drislla" do të bëhet deponi bashkëkohore evropiane

Mickoski: Ne nuk e krijuam

Shkup, 10 shtator 2025 (MIA) - Deponia "Vardarishte" nuk është krijuar nga kjo Qeveri në 15 muajt e fundit. Ajo është krijuar 35 vjet, e ndoshta edhe më shumë, por ne do ta zgjidhim. Do ta rregullojmë edhe deponinë "Drislla", do ta mbushim dhe do të duket si deponi bashkëkohore evropiane me fabrikë, e cila do të prodhojë energji dhe do të prodhojë, deponojë dhe reciklojë mbeturina. Këtë e premtoi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas vizitës së tij në Komunën e Gazi Babës, ku kreu inspektim në aktivitetet ndërtimore në disa projekte. 

Kjo, theksoi, do të jetë partneritet publik-privat, me tender publik dhe kritere të qarta. 

"Dhe tani po ju them, përsëri do të ketë disa organizata joqeveritare, të cilat do të jenë kundër. Por duhet të qëndrohet. Në jetë, gjërat ideale nuk janë të mundura, duhet të luftosh. Lufto për atë në të cilën beson. Unë besoj se kjo është e drejtë dhe do të luftoj", tha Mickoski. 

Kjo Qeveri, nënvizoi kryeministri, për herë të parë ka arrestuar ata të cilët shkrijnë ilegalisht kabllo në "Vardarishte" për të nxjerrë bakër për ta shitur. Pret që problemi i djegies në deponi të kapërcehet pas takimit të sotëm koordinues. 

"Nuk ekziston zgjidhje ad hok. Metani i cili emetohet digjet me një bisht cigare. Nuk duhet të jesh shumë kreativ ose diversant, digjet vetëm me një bisht cigare dhe këtë na e bëjnë çdo ditë", tha Mickoski, duke iu referuar problemit me të cilin po përballen shkupjanët këto ditë.  

Edhe kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, pret që problemi me djegien e deponive Vardarishte dhe Drislla të tejkalohet pas koordinimit të disa institucioneve dhe shpalljes së gjendjes së krizës në vend për shkak të zjarreve.

Në lidhje me ndotjen në komunën e Gazi Babës nga mbeturinat komunale, ai potencoi se kjo është në kompetencat e Qytetit të Shkupit dhe ndërmarrjes publike "Higjiena komunale", por se Komuna dhe ndërmarrja publike komunale përdorin burimet e tyre për të mbledhur deponitë rreth kontejnerëve. rq/bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR