• e mërkurë, 18 dhjetor 2024

Mickoski: Në periudhën që vijon do të ketë shumë raste të keqpërdorimit rreth shpërndarjes së tokës bujqësore

Mickoski: Në periudhën që vijon do të ketë shumë raste të keqpërdorimit rreth shpërndarjes së tokës bujqësore

Shkup, 17 nëntor 2024 (MIA) - Në periudhën që vijon do të ketë shumë raste të keqpërdorimeve lidhur me mënyrën e ndarjes së tokës bujqësore, deklaroi numri një i qeverisë, Hristijan Mickoski në konferencën e sotme për media pas takimit me përfaqësuesit e Asociacionit të bankave të Maqedonisë.

Në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve lidhur me përforcimin e kontrolleve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave për shpërndarjen e tokës bujqësore, Mickoski tha se bëhet fjalë për një nga përcaktimet strategjike të kësaj qeverie.

“Është një nga përcaktimet strategjike të kësaj qeverie dhe mendoj se në periudhën që vijon do të ketë shumë raste të keqpërdorimeve në lidhje me atë se si është ndarë ajo tokë bujqësore dhe tani e tutje ajo tokë duhet të shkojë aty ku duhet, ajo është e bujqve, jo e atyre për të cilët bujqësia është punë dhe prioritet dytësor, terciar apo tjetër", tha Mickoski.

I pyetur për të komentuar akuzat nga ana e LSDM-së për Propozim-buxhetin për vitin 2025 i cili është në procedurë parlamentare dhe se kinse Qeveria nuk investon fare në infrastrukturë, por vetëm i përfundon projektet që i ka trashëguar, Mickoski tha se dikush duhet t'i përfundoj ato projekte, sepse siç tha, “do të ishte e papërgjegjshme nëse Qeveria thoshte ky është projekt i LSDM-së dhe ne nuk do të punojmë”.

"Opozita tani duhet të thotë diçka, nuk mund t’ua ndalojmë të flasin, por atë që e thotë opozita është krejtësisht e pavërtetë. Bëhet fjalë për më shumë se 50 miliardë denarë investime kapitale. Përndryshe po, dikush duhet t'i përfundojë ato projekte. A thua duhet të ndodhë e njëjta gjë që ndodhi me ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, pra shtatë vite të mos lëvizin asnjë milimetër. Pse? Për shkak se është nisur nga Qeveria e VMRO-DPMNE-së, tani ne duhet të themi 'jo, ky është projekt i LSDM-së dhe nuk do të punojmë në të’. Do të ishte shumë e papërgjegjshme të sillemi kështu, prandaj vendosëm që t'i përvjelim mëngët dhe të përfundojmë gjithçka që është nisur dhe në ndërkohë të zhvillojmë projekte të cilat më pas t'i aplikojmë si të tilla", tha Mickoski.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR