Mickoski - Mizo: Ekonomia e vendit po shkon drejt konsolidimit, 55 për qind e investitorëve të huaj planifikojnë të riinvestojnë
- Ekonomia e vendit po shkon drejt një gjendjeje konsolidimi, 55 për qind e investitorëve të huaj planifikojnë të riinvestojnë, porositën sot kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Këshillit të investitorëve të huaj në vend, Viktor Mizo pas takimit në Odën Ekonomike.
- Post By Fami Bajrami
- 15:44, 11 mars, 2026
Shkup, 11 mars 2026 (MIA) - Ekonomia e vendit po shkon drejt një gjendjeje konsolidimi, 55 për qind e investitorëve të huaj planifikojnë të riinvestojnë, porositën sot kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Këshillit të investitorëve të huaj në vend, Viktor Mizo pas takimit në Odën Ekonomike.
"Patëm, do të thosha, një debat të frytshëm dhe të suksesshëm. Për ne investitorët e huaj janë jashtëzakonisht të rëndësishëm, natyrisht njësoj si edhe investitorët vendorë, sepse ekonomia është një nga prioritetet kryesore të funksionimit të kësaj Qeverie dhe të gjitha ato atribute që janë pjesë përbërëse e kësaj përpjekjeje për një ekonomi sa më të mirë. Ndjejmë se ngadalë, por sigurt, po lëvizim drejt konsolidimit dhe kjo në kushte sfidash jashtëzakonisht të mëdha globale, vlerësoj se ekonomia maqedonase po shkon drejt një gjendjeje konsolidimi, natyrisht, sfidat nuk do të ndalen, ato do të vazhdojnë, por ne përpiqemi t’i parashikojmë ato dhe përmes parashikimit të gjejmë zgjidhje për ato sfida. Sa më i fortë të jetë shteti, aq më shumë vlen biznesi dhe aq më shumë vlen edhe pasuria, sa më i fortë të jetë biznesi, aq më i fortë bëhet edhe shteti, prandaj është shumë e rëndësishme të kemi një biznes likuid dhe një ekonomi funksionale. Ajo ekonomi duhet t’i përmbushë me kohë detyrimet e saj ndaj shtetit dhe ndaj buxhetit, ndërsa me këto detyrime dhe me një buxhet të qëndrueshëm e likuid ne do të mund të kemi më shumë investime kapitale, më shumë në shëndetësi, më shumë në arsim, më shumë në bujqësi, pensione më të larta, paga më të larta etj", tha Mickoski pas takimit.

Ai tha se Qeveria do t'i analizojë kritikat dhe argumentet e paraqitura në takim.
“Do t’i analizojmë, argumentet do t’i shqyrtojmë dhe aty ku mund të jemi më të mirë, në vitin e ardhshëm do të përpiqemi të jemi më të mirë. Jam i kënaqur nga fakti se është shënuar një rritje dyshifrore e përqindjes së kompanive që janë të kënaqura me klimën e biznesit dhe që janë të gatshme ta zgjerojnë investimin e tyre në vend, natyrisht se do të kemi sfida, por ne si Qeveri jemi këtu, jemi të motivuar dhe duam t’i zgjidhim ato sfida, ashtu siç kemi bërë shumë herë në të kaluarën, edhe në të ardhmen do të luftojmë për çdo investim, për çdo euro të investuar në vend, sepse vlerësojmë se me çdo euro të investuar në vend, me çdo denar të investuar në vend, do të kemi një vend më të pasur dhe më të qëndrueshëm, ndërsa kjo do të thotë se pasuria e qytetarëve tanë dhe bizneset e sipërmarrësve do të vlejnë më shumë”, ka thënë ai.

Sipas Mizos, në takim u diskutua gjithashtu edhe për uljen prej 50 për qind të normave doganore që pritet nga 1 korriku i këtij viti, si dhe rritjen e pagës minimale.
"Pesëdhjetë e pesë për qind e kompanive dhanë një vendim pozitiv për të riinvestuar në vend, që paraqet rritje prej 13 pikësh përqindjeje nga anketa në vitin 2024. Diskutuam edhe çështje të tjera të hapura, siç është ulja shtesë prej 50 për qind e normave doganore që do të bëhet nga 1 korriku i këtij viti, që do të thotë se do të kemi harmonizim të plotë dhe konkurrueshmëri më të madhe të prodhimit tonë këtu dhe në të njëjtin nivel me konkurrueshmërinë në vendet e BE-së. Lidhur me pagën minimale, ne e mirëpresim atë që do të thotë të mbash angazhimet bazuar në rregullore të përcaktuara me ligj dhe të merret parasysh produktiviteti dhe jo të jetë një rritje ad-hok vetëm për shkak të nevojave që nuk korrespondojnë me konkurrueshmërinë e vendit, tha Mizo pas takimit.
Foto: MIA dhe Qeveria