• e premte, 05 dhjetor 2025

Mickoski: Secilit që punon në kundërshtim me parimet multietnike, do ta falënderojmë nga Qeveria

Mickoski: Secilit që punon në kundërshtim me parimet multietnike, do ta falënderojmë nga Qeveria

Shkup, 2 nëntor 2025 (MIA) – Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër Hristijan Mickoski sonte në konferencë për media duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve tha se dalja e vogël në Saraj dhe Çair nuk nënkupton se partneri i tyre i koalicionit VLEN i bojkoton dhe se ky sipas gjitha gjasave ishte vendim i votuesve. 

“Nuk mendoj se partneri ynë i koalicionit po na bojkoton. Askush nuk i mban votat në xhep, as nuk mund t’i japë ato direkt nga xhepi i tij. Ajo që pamë midis dy rretheve nga partneri ynë i koalicionit në Shkup, nga udhëheqësia e partnerit tonë të koalicionit, është një angazhim i sinqertë për Orce Gjorgievskin si kandidat në atë kohë, dhe tani kryetar i Qytetit të Shkupit. Fakti është se votuesit që votuan për VLEN nuk dolën dhe nuk e mbështetën Orce Gjorgievskin. Supozoj se ky ishte një vendim i tillë i votuesve, dhe kjo është ajo që është”, tha Mickoski.

Ai mohoi se kjo do të reflektojë mbi funksionimin e koalicionit. 

Në pyetjen e gazetarëve nëse tashmë prej nesër do të bashkojnë radhët me partnerët e koalicionit me qëllim që të ofrohen rezultate, Mickoski u përgjigj se fitorja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit është porosi e qartë nga populli se në atë drejtim ndërtohet e ardhmja. 

“Fitorja e koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe vlerat që ai ua prezantoi qytetarëve, për të cilat qëndron dhe për të cilat punon, është porosi e qartë dhe e padiskutueshme nga populli se vetëm në atë drejtim ndërtohet e ardhmja. Dhe kjo u konfirmua me votat në Bërvenicë dhe Kërçovë, por edhe në komuna të tjera multietnike. Dhe këtu nuk kemi dilema. Këtë e konfirmuan edhe shumica e kandidatëve për kryetar komune, tani kryetarë nga partnerët tanë të koalicionit në Qeveri dhe koalicionit VLEN, por edhe partia politike ZNAM”, tha Mickoski.

Ai porositi se ata të cilët nuk qëndruan pas atyre vlerave, do të shkarkohen nga pozitat në Qeveri. 

“Ata që nuk i mbështetën ato vlera, siç ishte kandidati në Bërvenicë, u mundën. Dhe tani do të shkarkohen nga pozicioni që kanë në Qeveri. Më vjen keq që u përpoqën të luanin atë kartë të brishtë në një vend multietnik. Dhe më vjen keq që më vunë në një situatë ku duhet t'u shpjegoj shumë njerëzve në bashkësinë ndërkombëtare se si është e mundur që njerëzit që janë pjesë e këtij koalicioni qeveritar të udhëheqin një fushatë kaq të paturpshme. Kjo është arsyeja pse ata janë mundur dhe do të dërgohen në të kaluarën dhe do të mbeten të zhytur në kënetën e tyre politike, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë për Maqedoninë tonë të përbashkët multietnike, Maqedoninë e maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, serbëve, vllehëve dhe boshnjakëve. Dhe po, këdo që punon në kundërshtim me këto parime, do ta falënderojmë nga Qeveria”, tha Mickoski.

Mickoski paralajmëroi se sonte do ta festojë fitoren në Bërvenicë dhe në Kërçovë bashkë me qytetarët, ndërsa nesër në mëngjes do të udhëtojë për Bruksel. fc/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR