18:00 / 12 shtator / 2025
Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski sot në mbledhjen e kuvendit për pyetje të deputetëve tregoi dokumente dhe lista për të cilat tha se i kanë marrë nga informatorë në lidhje me objektin e partisë E majta dhe nga të cilat gjithashtu, siç tha, shihet se kryetari i partisë E majta Dimitar Apasiev dhe kandidati për kryetar të Shkupit të kësaj partie kanë transferuar para nga llogaria e partisë E majta. Mickoski lexoi një fragment nga procesverbali si Apasievi informon anëtarë të partisë për blerjen e objektit të ish hotelit “Opera haus” për 250.000 euro, se bëhet fjalë për katër nivele dhe se dy – tre muaj është negociuar me Unibank.
Shkup - Nëpunës policor nga SPB Kumanovë, sot me urdhër gjykate, për shkak të dyshimit për xhirime të paautorizuara të ndërtesës së SPB Kumanovë, kanë kryer bastisje në shtëpitë e D.H. (47) dhe D.G. (51), të dy nga Kumanova, si dhe në hapësirat e personit juridik të D.G., në lidhje me nenin 149 dhe nenin 152 të Kodit Penal, gjatë të cilave u gjetën 15 dronë dhe plumba. Duke vepruar mbi video-incizimet e publikuara në rrjetet sociale, të filmuara me dron në fillim të gushtit, ku në mënyrë të paautorizuar janë xhiruar ndërtesa e SPB Kumanovë, automjetet zyrtare, si dhe sigurimi fizik i një ngjarje me rastin e festës së 2 gushtit dhe për shkak të dyshimit se ato janë bërë nga D.H. dhe D.G., u kryen kbastisje. Përveç kësaj, në shtëpinë e D.H. u gjetën një dron, gjashtë plumba dhe disa akte noteriale dhe dokumentacion, të cilat do të jenë objekt i procedurave të mëtejshme, ndërsa te shtëpia e D.G. u gjetën 14 dronë", thuhet në kumtesën nga MPB-ja.
Shkup - Prokurorët publikë e kryejnë funksionin e tyre në mënyrë profesionale, të ndërgjegjshme dhe të pavarur, dhe për këtë arsye është me rëndësi të veçantë t'u sigurohet hapësirë që ta kryejnë punën e tyre pa presion, fyerje ose ndërhyrje nga qendrat politike ose qendra të tjera të pushtetit, thuhet në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. "Shoqata e Prokurorëve Publikë reagon ashpër ndaj deklaratave të papërshtatshme dhe të pabazuara të disa politikanëve që kërcënojnë drejtpërdrejt integritetin dhe pavarësinë e Prokurorisë Publike dhe institucioneve gjyqësore në përgjithësi. U bëjmë thirrje veçanërisht politikanëve në retorikën e tyre parazgjedhore që të përmbahen nga sulmet e pabaza me të cilat minojnë besimin në institucionet gjyqësore dhe dëmtojnë reputacionin e prokurorëve publikë", thuhet në reagimin e SHPPRMV.
Shkup - Nëpunës policorë nga Departamenti i Policisë Kriminale aktualisht po kryejnë intervista zyrtare me punonjës të NP "Drislla" për të përcaktuar pjesëmarrjen e mundshme të brendshme në vënien e zjarrit në deponinë, informoi Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Shefi i Shtabit kryesor për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov, në konferencën e sotme për shtyp në afërsi të deponisë. Sipas informacioneve me të cilat disponon, Angellov vuri në dukje se pati të paktën tre përpjekje të tjera për djegie të deponisë, por, siç tha, për fat të mirë ato u shuan shpejt. "Për këto arsye, sot kërkova nga pjesëtarët e policisë kriminale të hyjnë në deponi dhe të bisedojnë me punonjësit dhe të marrin informacione relevante në lidhje me shkaqet e mundshme të zjarrit në deponi. Pjesëtarët e policisë kriminale aktualisht janë brenda deponisë, nuk po flasim për një të dyshuar konkret, por ata do të bisedojnë me punonjësit nëse ekziston mundësia që dikush nga brenda të ketë marrë pjesë në vënien e zjarreve ose ndoshta dikush nga jashtë po vjen, ndoshta pak i përgatitur fizikisht me një bidon benzine ose një shishe benzine sepse kemi të bëjmë me gazra të ndezshëm, për të vënë zjarrin", tha Angelov.
Shkup - Mbrojtja e ish drejtorit mjekësor dhe ekonomik të Klinikës për radioterapi dhe onkologji Shkup, Nino Vasev dhe Nehat Nuhi, pohon se akuza për rastin "Onkologji 2" për punë të pandërgjegjshme dhe krim financiar kundër tyre është e pabazë dhe politikisht e montuar në bazë të ekspertizës ekonomike nga persona, të cilët po ashtu janë inkriminuar, duke cekur se bëhet fjalë për drejtorët paraprakë mjekësor dhe ekonomik të Klinikës, të cilët janë ndërruar nga Vasevi. I pandehuri i parë Nino Vasev, para Gjykatës tha se nuk ndjehet fajtor, se tërë jetën, 35 vjet punon në Onkologji dhe çdoherë qëllim ka pasur të shpëtohen jetë njerëzore.
Tiranë - Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ia dorëzoi dekretin me të cilin e emëron liderin e socialistëve, Edi Rama, për kryeministër të qeverisë së re, të cilën ai do ta drejtojë për herë të katërt që nga viti 2013. Një detaj interesant bie në sy në dekretin e nënshkruar nga Begaj, pasi në nenin 2 shkruan: “Kryeministri ushtron gjithashtu përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale, Diella”.
Tiranë - Lideri i Partisë Demokratike në opozitë dhe ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pas seancës së parë në shtëpinë ligjvënëse të re, në të cilën ai dhe kolegët e tij të partisë shkaktuan situatë të tensionuar, vazhdoi me akuza jashtë sallës së parlamentit. Ai tha se ky parlament i ri i përket karteleve të drogës, duke kritikuar udhëheqësin e seancës, mjekun Vasil Lajo, se nuk ka përvojë parlamentare dhe se, sipas Berishës, ai ka shkatërruar rregulloren e punës në parlament. "Ambasadorët ishin të pranishëm. Unë nuk kam asnjë punë me ta, kam punë me qytetarët e mi. Në prani të ambasadorëve, unë vetëm thashë se në këtë parlament ka kartele të drogës. Zoti do të të vrasë nëse nuk e thua këtë. Si mund ta lejoj Vasilin, i cili është mjek dhe nuk ka përvojë parlamentare, të mashtrohet siç duan ata? Kaq ishte, ai shkatërroi edhe rregulloren e punës së parlamentit, duke mos lejuar diskutimin", tha Berisha.
Moskë - Ministria ruse e Mbrojtjes kumtoi se forcat ajrore ruse kanë rrëzuar aeroplanin ushtarak ukrainas Su-27. Armata ukrainase konfirmoi më herët se ka humbur një aeroplan luftarak Su-27 në drejtim të rajonit Zaporozhje, me ç'rast e ka humbur jetën piloti.
Moskë – Kremlini njoftoi sot se bisedimet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës për dhënien fund të konfliktit janë “ndërprerë”, pa u përcaktuar data e saktë për raundin e ardhshëm të bisedimeve. “Kanalet e komunikimit ekzistojnë, janë vendosur mirë. Negociatorët tanë kanë mundësi të komunikojnë përmes atyre kanaleve, por për momentin do të dëshironin të flisnim për pushim”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, në brifingun e sotëm.
Uashington – Vrasësi i dyshuar i Çarlli Kirk, i identifikuar si Tajler Robinson (22), është arrestuar, konfirmoi shefi i i FBI-së, Kesh Patel në një konferencë të përbashkët për shtyp me guvernatorin e Jutas, Spenser Kosk. Tajler Robinson, një 22-vjeçar nga Juta, është arrestuar 33 orë pas vrasjes së Çarllli Kirk në Universitetin e Juta Veli. Autoritetet konfirmuan se një anëtar i familjes i tha një miku të familjes se Robinson gjoja e ka bërë të kuptohet se e ka kryer krimin, ndërsa më pas ai mik e ka njoftuar policinë. Hetuesit gjetën një pushkë dhe plumba me mbishkrime të tilla si "Hej fashist! Kap!" („Hey fascist! Catch!“) dhe "Bella Çao" („Bella Ciao“).
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot se durimi i tij me presidentin rus Vladimir Putin “po mbaron” dhe njoftoi masa të reja të ashpra ekonomike kundër Moskës për shkak të ngërçit në bisedimet paqësore me Ukrainën. "Po më mbaron durimi dhe kjo po ndodh me një ritëm të përshpejtuar. Do të ketë goditje të forta përmes sanksioneve ndaj bankave, përmes sektorit të naftës, përmes tarifave", tha Trampi në një intervistë për “Foks njuz”.
Uashington – Presidenti amerikan, Donald Tramp sot deklaroi se është arrestuar një i dyshuar për vrasjen e bashkëpunëtorit të tij, Çarlli Kirk. "Mendoj, me një shkallë të lartë sigurie, se e kemi në paraburgim", tha Tramp gjatë një paraqitjeje në televizionin Foks Njuz. Trampi shtoi se i dyshuari ishte "dikush shumë i afërt me të" dhe se më shumë detaje do të publikohen gjatë ditës, transmeton Si-En-En.