• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00 / 9 tetor / 2025

Shkup – Mbrojtja e ish drejtorit të Klinikës së onkologjisë, Nino Vasev kërkon heqjen e paraburgimit dhe caktimin e ndonjë mase tjetër më efektive, siç është arresti shtëpiak me garanci të shtëpisë në të cilën jeton dhe marrjen e pasaportës, me qëllim siç thonë ata, “t'i mundësohet të mbrohet siç duhet dhe të mund të punojnë në bazë ditore në dy rastet që zhvillohen kundër klientit të tyre”. Mbrojtësi i Vasevit, avokati Bobi Spirkovski, pas seancës së sotme, deklaroi për mediat se kërkesat e tyre vazhdimisht refuzohen dhe po caktohen 30 ditë të reja paraburgimi, gjë që rrezikon të drejtën e tij për mbrojtje efektive. "Sot paraqita propozim për heqjen e masës së paraburgimit. Kemi një problem të madh si mbrojtje, këto janë dy raste që janë jashtëzakonisht vëllimor, ka një sasi të madhe provash dhe thjesht nuk mund të funksionojmë. Ky është një rast i specializuar mjekësor dhe tjetri ekonomik, është përsëri i lidhur me njohuritë dhe përvojën e tij si drejtor. Nuk mund të funksionojmë normalisht. Ky lloj paraburgimi, këto dy lëndë me një dinamikë të tillë, kërcënojnë të drejtën e një personi për t'u mbrojtur", deklaroi Spirkovski.

Shkup – Në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot përfundoi marrja në pyetje e ekspertëve nga Prokuroria në rastin “Shtekli”. Këshilli Gjyqësor paralajmëroi se do t’i shqyrtojë të gjitha dëshmitë dhe do të marrë vendim në seancën e ardhshme gjyqësore, të caktuar për më 13 tetor të vitit 2025. Nga rezultati do të varet nëse lënda do të jepet në superekspertizë ose do të vazhdojë debati kryesor. Dëshmitë kishin të bënin me gjendjen psikike të të akuzuarit Rade Trajkovski Shtekli. Mbrojtja përmes dëshmive thoshte se ai është psikotik dhe nuk është në gjendje ta ndjekë debatin kryesor, përderisa, Prokuroria përmes dëshmive thotë se ai është në gjendje të mirë shëndetësore. Në seancën e sotme për rastin “Shtekli”, para gjykatës dëshmoi ekspertja Olivera Popovska, e punësuar në Spitalin Psikiatrik Shkup. Ajo u morr në pyetje nga ana e avokatit Sashko Dukovski, avokat i të akuzuarit Rade Shtekli, përmes pyetjeve të tërthorta. 

Shkup - Prokuroria Themelore Publike- Manastir ka hapur hetim kundër tetë personave fizikë dhe një personi juridik për vepra penale të vazhdueshme që lidhen me furnizimin publik në KME Manastir. Pesë zyrtarë në KME Manastir, përfshirë ish drejtorin e termocentralit dhe katër menaxherë dhe drejtues, dyshohen se në vitin 2023 si bashkëkryerës kanë kryer vepër penale të vazhdueshme "keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar", duke mos ushtruar pozitën dhe autoritetin e tyre zyrtar me qëllim të përfitimit për një person tjetër dhe dëmtimin e termocentralit, gjegjësisht në kundërshtim me projektin themelor të minierave dhe nevojat e minierës "Zhivojno", ata organizuan dhe realizuan një furnizim publik për zhvendosjen e termocentraleve nga miniera "Osllomej" në KME Manastir. Personi juridik, pronari/menaxheri dhe një person tjetër i punësuar nga personi juridik SHPKNJP- kompania Markovski dyshohet se kanë dorëzuar fatura në bazë të të cilave kanë arkëtuar në mënyrë të paligjshme 106.200.000 denarë nga filiali KME Manastir, përfshirë TVSH-në duke kryer vepër penale të vazhdueshme "keqpërdorim të thirrjes publike dhe procedurës së partneritetit publik-privat".

Shkup - Vetëm 13 për qind nga 40.000 pacientë që marrin terapi me insulinë janë diagnostikuar me retinopati diabetike, ndërsa vetëm 20 për qind marrin trajtim. Vetëm 25 për qind e pacientëve me retinopati diabetike në vend mjekohen, ndërsa më pak se 15 për qind mjekohen plotësisht. Është e nevojshme të rritet numri i oftalmologëve, veçanërisht në vendet jashtë Shkupit, dhe t'u ofrohet ndihmë personave me shikim të dëmtuar. U bëjmë thirrje autoriteteve shëndetësore që ta japin përparësi për përmirësimin e shëndetit të syve, sepse 80 për qind e rasteve të verbërisë dhe shikimit të dëmtuar mund të shmangen, theksoi sot në konferencë për shtyp kryetari i Lidhjes së shoqatave të diabetikëve, Dimçe Velev, me rastin e Ditës botërore të shikimit. Ai theksoi se është e nevojshme që rritja e ndërgjegjësimit për shëndetin e syve të vendoset më lartë në agjendën e politikave shëndetësore, diagnostifikimi në kohë i sëmundjeve të syve, veçanërisht i retinës, krimi i një regjistri të sëmundjeve oftalmologjike sepse nuk ka të dhëna për numrin e personave me retinopati diabetike, qasje në terapi inovativ dhe vazhdimësi të trajtimit, si dhe trajtim dhe rehabilitim të përgjithshëm të pacientëve. 

Shkup – Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska sot u takua me ambasadoren e sapoemëruar të Mbretërisë së Suedisë në vend, Ola Sulstrom. Në takim, siç informoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, ishte konfirmuar bashkëpunimi i mirë i deritanishëm ndërmjet dy vendeve dhe ishte shprehur interesimi i përbashkët për thellimin e tij, veçanërisht në pjesën e energjetikës dhe projekteve infrastrukturore. Ministrja Bozhinovska e ka njoftuar ambasadorin Sultrom me projektet strategjike kyçe të ministrisë së këtij dikasteri, si dhe me planet për përshpejtim të tranzicionit energjetik. Ajo theksoi se Maqedonia është e përkushtuar në modernizimin e sistemit energjetik, rritjen e pjesëmarrjes në burimet e rinovueshme dhe përmirësim të qëndrueshmërisë energjetike, që hap mundësi për bashkëpunim me partnerët dhe kompanitë suedeze. 

Shkup - Më 7 dhe 8 tetor 2025, në Podgoricë të Malit të Zi u mbajt konferencë rajonale me temë "Roli i Mbikëqyrjes Efektive Parlamentare në Avancimin e Procesit të Anëtarësimit në Bashkimin Evropian". Eventi organizohet në kuadër të projektit të Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim (GIZ) - Bashkëpunimi Rajonal për Integrimin në BE, në bashkëpunim me Rrjetin e Komisioneve Parlamentare për Integrime/Çështje Evropiane nga Ballkani Perëndimor, informuan sot nga Kuvendi i RMV-së. Në emër të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në konferencë morën pjesë Daniella Belimova dhe Mimoza Musa, anëtare të Komisionit për Çështje Evropiane, Nikolla Gjoshevski, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kuvendit, si dhe shërbimi i Kuvendit.

Shkup - Deri në nëntor të vitit 2028, 14 ndërtesa publike dhe 33 institucione duhet të jenë me efikasitet energjetik. Rikonstruksioni do të përfshijë gjithsej 102.992 metra katrorë dhe do të kushtojë 11,11 milionë euro. Kjo parashikohet në planin qeveritar që pritet të miratohet më së voni javën e ardhshme, tha sot ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska. Në brifing me gazetarët Bozhinovska informoi se kjo rrjedh nga Ligji për efikasitet energjetik dhe nënkupton harmonizim me direktivat e BE-së. "Nga nëntori i vitit 2025 deri në nëntor të vitit 2028 do të përfshihen 14 ndërtesa dhe 33 institucione, ose gjithsej 102.992 metra katrorë me mbi 5000 punonjls, ndërsa vlera do të jetë 11,11 milionë euro. Çdo vit duhet të kemi një rikonstruim prej tre përqind të ndërtesave publike. Dje patëm sekretariat të përgjithshëm të Qeverisë, i cili kaloi. Shpresoj se së shpejti do të jetë dhe në seancë qeveritare. Pres që plani të miratohet nga Qeveria deri javën e ardhshme, të martën e ardhshme. Është parashikuar saktësisht se për cilat ndërtesa publike po punohet dhe si, kur, sa duhet të jenë efikase në aspektin energjetik", thesoi ministrja.

Tetovë - Drejtues të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit morën pjesë në Konferencën e Parë Shkencore Ndërkombëtare, të organizuar nga Fakulteti Teknologjik-Teknik në Veles, njësi e Universitetit “Shën Kliment Ohridski” – Manastir. Në këtë ngjarje të rëndësishme shkencore, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i UT-së, u përfaqësua nga dekani Prof. Dr. Gafur Xhabiri, prodekani për arsim Prof. Dr. Xhezair Idrizi, shefi i programit studimor Prof. Dr. Namik Durmishi, shefi i laboratorit Prof. Dr. Ismail Ferati, si dhe asistentët Mr. Sc. Hava Miftari, Mr. Sc. Valbona Mazllami dhe Mr. Sc. Durim Alija. Konferenca u mbajt më 3 tetor 2025 në qytetin e Velesit dhe mblodhi mbi 100 shkencëtarë dhe ekspertë nga 11 vende të ndryshme, të cilët prezantuan punimet e tyre në fushat e shkencave ushqimore, nutricionizmit, teknologjive inovative dhe qëndrueshmërisë. Ngjarja kishte për qëllim shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale me synim zhvillimin e një sistemi ushqimor të sigurt, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Bruksel - Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen javën e ardhshme do t'i vizitojë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, informoi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo. Pinjo tha se se më shumë hollësira për këtë turne vjetore të Fon der Lajenit nëpër Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian do të kumtojë gjatë ditës së nesërme. Sipas infromatave në dispozicion, turneu në Ballkanin Perëndimor i Fon der Lajenit do të fillojë të hënën dhe në kuadër të tij, ajo të mërkurën do të qëndrojë në Shkup.

Strasburg – Bashkimit Evropian i nevojiten aksione të koordinuara, mbrojtje më e fuqishme dhe sanksione që të përballet me provokimet ruse të drejtuara ndaj sigurisë dhe infrastrukturës së BE-së, bëhet e ditur në Rezolutën e Parlamentit Evropian të miratuar sot me 469 vota “për”, 97 “kundër” dhe 38 “të përmbajtura”. Me rezolutën “ashpër dënohen aktivitetet e papërgjegjshme dhe gjithnjë e më të shpeshta” të Rusisë për dëmtimin e hapësirës ajrore të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s, s dhe sulmet e qëllimshme të dronëve të drejtuara ndaj infrastrukturës kritike. “Ato (aktivitete) janë pjesë e luftës sistematike hibride dhe provokimeve të Rusisë kundër BE-së dhe vendeve të saja anëtare”, thuhet në Rezolutë.

Gjenevë - Agjencia e KB-së për refugjatët palestinezë (UNRVA) sot e ka përshëndetur marrëveshjen për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit dhe deklaroi se është "shumë e lehtësuar" dhe e gatshme të dërgojë ushqim urgjent në Rripin e Gazës. "UNRVA ka ushqim, ilaçe dhe produkte tjera themelore për Gazën. Kemi mjaftë për ta ushqyer tërë popullatën në tre muajt e ardhshme", ka shkruar drejtori i përgjithshëm i Agjencisë, Filip Llazarini në "X". Rreth 170.000 tonë ndihmë humanitare janë të gatshme dhe presin leje për dërgesë në Rripin e Gazës, deklaroi sot zëdhënësi i Zyres së KB-së për koordinim të çështjeve humanitare (OCHA) në Gjenevë, i cituar nga DPA

Gjenevë - Rreth 170.000 tonë ndihmë humanitare janë të gatshme dhe presin leje për dërgesë në Rripin e Gazës, deklaroi sot zëdhënësi i Zyres së KB-së për koordinim të çështjeve humanitare (OCHA) në Gjenevë, pas publikimit të marrëveshjes së parë për ndërprerje të luftimeve. "Sapo autoritetet izraelite, që e kontrollojnë qasjen deri te zona ushtarake japin dritë të gjelbër, kjo ndihmë mund të dërgohet deri te ata, të cilëve u nevojitet", tha zëdhënësi. Ndihma përfshin ushqim, ilaçe, tenda dhe përkrahje tjetër urgjente. Sipas OCHA-së, autoritetet izraelite deri tani nuk kanë miratuar ose kanë bllokuar 45 për qind nga karvanet e regjistruara me ndihmë nga fillimi i luftës në tetor të vitit 2023.

Ramallah - Lëvizja palestineze Fatah e përshëndeti marrëveshjen e publikuar për ndalimin e luftës në Rripin e Gazës, e cila do të sjellë tërheqjen e forcave izraelite, shpërndarjen e ndihmës humanitare dhe këmbimin e të burgosurve dhe robërve. Në kumtesën e publikuar sot, Fatahu e konfirmoi qëndrimin e presidentit palestinez Mahmud Abas, i cili që nga fillimi bëri thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të agresionit, hapje të korridoreve humanitare për të parandaluar urinë në Gazë dhe lirimin e të burgosurve dhe pengjeve. 

Jerusalem – Presidenti amerikan Donald Tramp sipas gjitha gjasave do ta vizitojë Jerusalemin të dielën, njoftoi presidenca izraelite. Sot ishte njoftuar se presidenti izraelit Isak Hercog i ka anuluar planet e tij për atë ditë, duke pasur parasysh vizitën e pritur të Trampit, edhe krahas mungesës së deklaratës zyrtare nga Shtëpia e Bardhë. 

Kiev - Autoritetet ukrainase sot dhanë urdhër për evakuim të familjeve me fëmijë, të cilët jetojnë në disa rajone në Kramatorsk, qytetin e madh të fundit në Donbas nën kontrollin ukrainas dhe i cili gjendet rreth 20 kilometra nga linja e frontit. Kramatorsk rregullisht është shënjestër e sulmeve ruse. "Për shkak të gjendjes së përkeqësuar të sigurisë në disa rajone në Kramatorsk, është dhënë urdhër evakuim i obliguar i familjeve me fëmijë", thuhet në kumtesën e këshillit të qytetit në aplikacionin për mesazhe Telegram.

Kiev – Parlamenti i Ukrainës, me propozim të presidentit Volodimir Zelenski, miratoi një ligj që lejon ushtarët ukrainas të vendosen në Turqi dhe Britaninë e Madhe. Ligji parashikon që 106 anëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës të dërgohen në Turqi, kurse 216 ushtarë ukrainas të dërgohen në Britaninë e Madhe për trajnim. Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Denis Shmigal, deklaroi se ky është një hap që do të mundësojë modernizimin më efikas të marinës ukrainase dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët e NATO-s.

Nju-Jork - Sekretari i Përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, përshëndeti marrëveshjen e arritur midis Izraelit dhe grupit radikal palestinez Hamas për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve izraelite. Guteresh tha se organizata është e gatshme të ofrojë ndihmë.  "Kombet e Bashkuara janë të gatshme të japin mbështetjen e tyre të plotë. Ne dhe partnerët tanë jemi të gatshëm të veprojmë - menjëherë", tha Guteresh në KB. 

Belfast - Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johan Vadeful sheh një "dritare mundësish" për vendet e Ballkanit Perëndimor që të bashkohen me BE-në, publikoi DPA. Duke folur në konferencën në Belfast sot, Vadeful tha se vendet-kandidate për BE-në kanë shpresa të mëdha për përparim, por se "ekziston edhe një frikë e madhe se në fund ky do të jetë një proces i pafund që nuk do të japë asnjë rezultat". Nisma Procesi i Berlinit, e ngritur në vitin 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, ka për qëllim të promovojë bashkëpunimin e BE-së me Shqipërinë, Bosnjen e Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Barcelonë – Borxhi total i Barcelonës ndaj klubeve të ndryshme për transferime të realizuara është 159,1 milionë euro, njoftoi sot gazeta spanjolle Sport. Nga kjo shumë, 140,6 milionë euro janë borxh afatshkurtër, përderisa 18,5 milionë euro janë afatgjatë. Borxh më të lartë Barcelona ka ndaj klubit anglez Lids, të cilit i ka borxh 41,9 milionë euro për transferimin e sulmuesit brazilian Rafinja. Transferimi ishte realizuar në korrik të vitit 2022. Barcelona kishte vështirësi me transferimet këtë verë, sepse klubi urgjentisht duhej të realizonte të ardhura që të mund të regjistrojë lojtarë të rinj në radhët e tij.

QËNDRONI TË LIDHUR