18:00 / 26 mars / 2026
Shkup - Të punësuarit në arsim do ta marrin rritjen e pagës së marsit, e cila është pjesë e marrëveshjes kolektive, ashtu siç do ta marrin edhe punonjësit në shëndetësi dhe të gjithë punonjësit në administratën shtetërore dhe publike që kanë marrëveshje kolektive të nënshkruara nga kjo Qeveri. Këtë e deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke u përgjigjur pyetjeve parlamentare se sa do të rritet paga në arsim me pagesën e marsit në prill. Ai gjithashtu shtoi se të martën në mbledhjen e qeverisë ka kaluar edhe propozim-marrëveshja kolektive të cilën institucionet shtetërore do të duhet ta nënshkruajnë me punonjësit në administratë, me të cilën punonjësit për dy vjet do të kishin pagë për rreth 40% më të lartë nga ajo që kanë sot.
Shkup - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, sot në Kuvend iu përgjigj pyetjes së deputetes Sanja Lukarevska, duke u ndalur te masat aktuale në sektorin bujqësor, me theks të veçantë në prodhimin e orizit. Në fjalimin e tij, ministri theksoi se protestat e organizuara nga opozita janë një përpjekje për manipulim politik, duke vënë në dukje se ata që sot kritikojnë, në të kaluarën kanë lënë probleme serioze në bujqësi. Ai u shpreh se prodhuesit e orizit të shtunën deklaruan se kanë rezerva orizi që datojnë pesë vjet më parë, periudhë kur në pushtet ishte LSDM. "Në ndryshim nga e kaluara, kur orizi nuk trajtohej si një kulturë strategjike, kjo Qeveri ka ndërmarrë hapa konkretë. Orizi është përcaktuar si kulturë me interes kombëtar dhe është siguruar blerja për nevojat e rezervave shtetërore“, theksoi ai.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski, në seancën e sotme për pyetje të deputetëve theksoi se buxheti për shëndetësinë është afërsisht 1 miliard euro, si dhe se këtë vit pagat e punonjësve shëndetësorë do të rriten, si dhe se do të vazhdojnë investimet në sektorin e shëndetësisë, sidomos në infrastrukturë, megjithëse gjendjen të cilën e trashëgoi shëndetësia si pasojë e të kaluarës dhe politikat e ashtuquajtura "Stabri" në shëndetësi, ishte katastrofike. "Shëndetësia paraqet një sfidë serioze për këtë qeveri për shumë arsye, sepse trashëguam një gjendje katastrofike dhe kataklizmike për shkak të politikave tmerrësisht të këqija e kriminale të së kaluarës, të ashtuquajturat politika shëndetësore 'Stabri'. Në kulmin e pandemisë së koronës, kur ishim më së keqi dhe në fund përfunduam ndër më të dobëtit në ballafaqimin me atë pandemi, ata që udhëhiqnin atë sektor dhe atë politikë, në vend që të kujdeseshin për shëndetin e qytetarëve dhe të siguronin medikamentet e materialet e nevojshme për të shpëtuar sa më shumë bashkëqytetarë tanë, ata vendosën të lidhnin kontrata për furnizime emergjente të vaksinave nga një kompani e regjistruar në Hong Kong, veprimtaria kryesore e së cilës deri në atë moment ishte tregtia me fruta jugore," deklaroi kryeministri Mickoski.
Shkup - Edhe në kushte të krizës epike, historikisht më të madhe energjetike, pagat po rriten, deficiti dhe inflacioni po ulen, paguajmë taksën e solidaritetit dhe kemi rritje reale prej 3,5 për qind kur në Evropë është pothuajse një për qind. Pavarësisht gjitha sfidave, ne po përballemi dhe në vend që të gjunjëzohemi, po dërgojmë mesazh stabiliteti, sigurie dhe ndihmojmë, tha sot nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Hristijan Mickoski. Duke u përgjigjur në pyetjen e deputetëve, Mickoski tha se Ministria e Financave po konsolidon deficitin e trashëguar buxhetor prej mbi 4.5 për qind të BPV-së. Në kontekstin e investimeve kapitale, kryeministri theksoi se pret që prokurori i ri i shtetit të fusë së pari në agjendë të gjitha raportet e revizionit që lidhen me punën e NPRRSH dhe Ministrisë së Transportit për të parë se kush bëri çfarë.
Shkup - Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Sindikata e Administratës, Administratës Shtetërore dhe Gjyqësorit (SAAShGj) dhe Organizata sindikale e Ministrisë, nënshkruan Kontratë kolektive për punonjësit e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Kontratën kolektive për të punësuarit në Ministri e nënshkruan ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, kryetari i SAAShGj-së Bllagoja Ralpovski, dhe përfaqësuesja e Organizatës sindikale të Ministrisë, Andrijana Gugovska. Kontrata Kolektive, e cila u nënshkrua sot, palët nënshkruese e cilësuan si historike, duke pasur parasysh se, është Kontrata e parë kolektive, të cilën, kjo Ministri e nënshkruan.
Shkup - Sot dhe nesër në Shkup po mbahet konferenca rajonale “Ura drejt së ardhmes: Internacionalizimi i arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore”, nën mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, ndërsa bashkëorganizatorë janë Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (KBR) dhe Banka Botërore. Dialogu bashkon ministra, drejtues universitetesh, akademikë, studiues, hartues politikash, përfaqësues të industrisë, punëdhënës, ekspertë dhe studentë. Duke theksuar rëndësinë e konferencës, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, theksoi se në kushtet e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, po rritet ndërgjegjësimi për arsimin, si investimi më i sigurt, nga i cili varet e ardhmja e ekonomive, qëndrueshmëria dhe rezistenca e tyre.
Shkup - Sfidat me banesat në Maqedoni dhe pamundësia e të rinjve për të siguruar një shtëpi të tyre për shkak të çmimeve të larta të banesave, të cilat arrijnë deri në 2.500 euro për metër katror në Shkup, shkaktuan polemikë mes deputetit të së Majtës, Amar Mecinoviq, dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikollovski, në seancën e 95-të për pyetjet e deputetëve në shtëpinë ligjvënëse. Mecinoviq e akuzoi Qeverinë për neglizhencë ndaj familjeve punëtore dhe për tolerimin e spekulimeve në treg, ndërsa ministri Nikollovski u përgjigj se çmimet e larta janë pasojë direkte e bllokimit të planeve urbanistike dhe e histerisë së krijuar kundër ndërtimtarisë, veçanërisht në disa komuna të Shkupit dhe në Ohër, nga ana e së Majtës dhe partnerët e tyre në koalicion.
Paris - Bashkimi Evropian është i shqetësuar për shkak presionit të SHBA-së ndaj Ukrainës që të bëjë koncesione territoriale në negociatat me Rusinë, deklaroi sot përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas. "Kjo padyshim është një qasje e gabuar. Kjo i përshtatet manualit rus të negociatave – ata duan diçka që kurrë nuk ka qenë e tyre, dhe për këtë arsye ne sinjalizojmë se kjo është një kurth në të cilin nuk duhet të biem", theksoi Kallas në margjinat e takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të G7 në Francë.
Gjenevë - Drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), Ngozi Okonxho-Iveala, deklaroi sot se sistemi multilateral ka ndryshuar në mënyrë thelbësore dhe se vendet duhet të përqendrohen te e ardhmja dhe reforma e rendit global tregtar. Ajo e dërgoi këtë mesazh delegatëve në hapjen e Konferencës së 14-të Ministrore të OBT-së në Jaunde, Kamerun, transmetojnë mediat britanike. “Rendi botëror dhe sistemi multilateral siç i njihnim janë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Nuk do t’i rikthejmë... Duhet të shohim drejt së ardhmes", theksoi Okonxho-Iveala.
Berlin - Parlamenti gjerman sot miratoi një paketë masash për të parandaluar rritjen e çmimeve të derivateve, ndërsa masa kryesore është ndalimi i rritjes së shumëfishtë të çmimeve brenda një dite, si dhe zgjerimi i kompetencave të Zyrës për luftën kundër kartelit për të kontrolluar lëvizjen e çmimeve të karburanteve. Në pompat e benziës do t’u lejohet vetëm një herë në ditë, dhe atë pasdite, të rrisin çmimet, ndërsa ulja e tyre lejohet disa herë gjatë një dite.
Londër - Sipas llogaritjeve të Rojtersit, bazuar në të dhëna tregu, të paktën 40 për qind e kapacitetit eksportues rus të naftës është bllokuar nga sulmet ukrainase me dronë. Kjo është shkelja më e madhe e furnizimit me naftë në historinë moderne të Rusisë, eksportuesi i dytë më i madh i naftës në botë, dhe ndodh në një kohë kur çmimet e naftës kanë kaluar 100 dollarë për fuçi për shkak të luftës me Iranin. Prodhimi i naftës në Rusi është një nga burimet kryesore të të ardhurave për buxhetin shtetëror dhe një pjesë kyçe e ekonomisë prej 2.6 trilionë dollarë.
Abu Dabi - Dy ushtarë dhe tetë civilë u vranë, ndërsa 169 persona u plagosën në një sulm iranian me raketa balistike dhe dronë ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe sot, publikoi Ministria e Mbrojtjes së Emirateve. “Ndër të plagosurit ka qytetarë nga EBA, Egjipti, Sudani, Etiopia, Filipinet, Pakistani, Irani, India, Bangladeshi, Sri Lanka, Azerbajxhani, Jemeni, Uganda, Eritrea, Libani, Afganistani, Bahreini, Komoret, Turqia, Iraku, Nepali, Nigeria, Omani, Jordania, Palestina, Gana, Indonezia, Suedia dhe Tunizia", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Iks.
Moskë - Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se është e vështirë të parashikohen pasojat e konflikteve në Lindjen e Mesme, por se ndikimi i tyre potencial është tashmë i krahasueshëm me pasojat e pandemisë Kovid-19. Sipas tij, konflikti po shkakton dëme të konsiderueshme në logjistikën ndërkombëtare, prodhimtarinë dhe zingjirët e furnizimit, ndërsa në të njëjtën kohë po i vë nën presion të rëndë kompanitë në sektorët e hidrokarbureve, metaleve dhe plehrave. "Është ende e vështirë të parashikohen me saktësi pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme", tha Putin në fjalimin para liderëve të biznesit në Moskë. "Më duket se edhe ata që janë të përfshirë në konflikt nuk mund të parashikojnë asgjë, dhe kjo është edhe më e vështirë për ne".
Kiev - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski në intervistë për Rojters deklaroi se takimi trilateral me presidentin amerikan dhe atë rus do të ishte mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve të mbetura për territor dhe garanca të sigurisë për Kievin, për t'u arritur marrëveshje paqesore me Moskën. Sipas tij, Rusia pret që SHBA-ja ta humb interesin për Ukrainën, si dhe se nëse ka ngecje në negociatat paqesore, Uashingtoni do të ndalet me angazhimet e veta. Raundi i katërt i negociatave trilaterale, që duhej të mbahet këtë muaj, është anuluar për shkak të luftës në Iran.
Uashington - Pentagoni po zhvillon opsione ushtarake për një "sulm përfundimtar" ndaj Iranit i cili mund të përfshijë përdorimin e forcave tokësore dhe sulme masive ajrore, deklaruan dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të njohura me planet. Sipas portalit amerikan "Aksios", një përshkallëzim drastik ushtarak bëhet më i mundshëm nëse negociatat diplomatike nuk japin rezultate, veçanërisht nëse bllokada e Ngushticës së Hormuzit vazhdon. Disa zyrtarë amerikanë besojnë se një sulm vendimtar në fund të konfliktit do të rriste fuqinë negociuese në bisedimet paqësore ose do t'i jepte presidentit amerikan Donald Tramp një rezultat simbolik që ai mund të shpallte fitoren.
Uashington - Përfaqësuesi i veçantë i presidentit amerikan, Stiv Uitkof, deklaroi sot se ekzistojnë tregues që Teherani është i interesuar për arritjen e një marrëveshjeje për ndalimin e konfliktit. Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Uitkof konfirmoi se SHBA-ja ka prezantuar një plan me 15 pika si kornizë për një marrëveshje paqeje, dhe shtoi se në fillim të negociatave ishte krejt e qartë se Irani nuk do të pranonte një marrëveshje që do të përmbushte objektivat e Uashingtonit, transmeton Skaj njuz.