• e martë, 26 nëntor 2024

MF: U emetuan fletobligacionet e para strukturore – ndihmojmë komunat të përballen me sfidat financiare

MF: U emetuan fletobligacionet e para strukturore – ndihmojmë komunat të përballen me sfidat financiare

Shkup, 29 shtator 2023 (MIA) - Ministria e Financave sot emetoi fletobligacionet e para strukturore të destinuara për komunën e Zhelinës, Tetovës dhe Vinicës, me të cilat sigurohen mjete që u mundësojnë atyre t'i shlyejnë detyrimet e tyre dhe t'i përforcojnë kapacitetet e tyre financiare. Emetimi i fletobligacioneve strukturore është pjesë e reformës së planifikuar për avancimin e decentralizimit fiskal dhe pjesë e reformës më të gjerë në menaxhimin e financave publike.

Siç thuhet në kumtesën e Ministrisë së Financave, fletobligacionet strukturore janë letra me vlerë të emetuara nga Ministria e Financave për komunat, me anë të së cilave atyre u ofrohet përkrahje për shlyerjen e detyrimeve të maturuara dhe të papaguara ndaj kreditorëve. Ato emetohen në periudhë 10 vjeçare, me ç’rast atyre u mundësohet që t’i riprogramojnë detyrimet e tyre, ku si rezultat i kësaj ofrohet bazë për komunat që t’i  konsolidojnë buxhetet e tyre dhe të mund të fokusohen në zhvillimin e tyre. Vlera e fletobligacioneve të emetuara do të kthehet në këste të barabarta 10 vjeçare. Nga ana tjetër, fletobligacionet strukturore që do t'u emetohen kreditorëve do të mund t'i shfrytëzojnë ato për shlyerjen e detyrimeve ndaj Drejtorisë së të Hyrave Publike. Gjithashtu, me to do të mund të tregtohet edhe në tregun sekondar të Bursës.

“Kjo është përkrahje e rëndësishme për komunat, që është pjesë e reformës së destinuar për sigurimin e më shumë mjeteve për pushtetet lokale, nëpërmjet rritjes së të hyrave të komunave nga tatimet e arkëtuara (inkasuara) nga pushteti qendror, si dhe në drejtim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës. E gjithë kjo është në drejtim të stabilitetit të tyre financiar dhe ofrimit të shërbimeve cilësore, sepse ata janë përgjegjës për sferën e arsimit, mbrojtjes sociale, mjedisit jetësor, shërbimeve komunale etj”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, i cili shtoi se, e gjithë reforma përforcon pushtetet lokale dhe në të njëjtën kohë i detyron ato për disiplinë më të madhe fiskale, llogaridhënie dhe funksionim transparent", kumtoi MF.

Përveç fletobligacionit strukturor, i cili parashihet me ndryshimet në Ligjin e Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, komunat kanë në dispozicion instrumente të tjera, si kredia e kushtëzuar, gjithashtu nga Ministria e Financave dhe fletobligacioni komunal për blerës të njohur - Ministria e Financave dhe ka për qëllim përforcimin e stabilitetit të tyre financiar.

Fletobligacionet strukturore për të cilat Ministria e Financave sot publikoi prospekt janë në vlerë të përgjithshme prej 275 milionë denarëve, prej të cilave 250.2 milionë denarë për Komunën e Tetovës, 21.7 milionë denarë për Komunën e Zhelinës dhe 2.5 milionë denarë për Komunën e Vinicës.

Sipas Ligjit të Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, komunat kanë mundësinë që ta shfrytëzojnë fletobligacionin strukturor për detyrimet e maturuara, duke përfshirë 30 shtatorin 2021.

"Krahas këtyre instrumenteve, komunat përkrahen edhe përmes rritjes së transfertave nga buxheti qendror për komunat në bazë të tatimit mbi të ardhurat personale nga 3% në 6% dhe TVSH-së nga 4.5% në 6%", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Financave. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR