Mexhiti nga Likova: Shqiptarët kërkojnë zgjidhje reale, jo premtime boshe
- Koalicioni VLEN mbajti tubim në komunën e Likovës, ku para një numri të madh të qytetarëve foli edhe një nga liderët e koalicionit dhe kandidat për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti i cili theksoi se shqiptarët sot janë politikisht më të pjekur dhe kërkojnë rezultate konkrete, jo retorikë.
- Post By Fami Bajrami
- 00:51, 12 tetor, 2025
Shkup, 12 tetor 2025
Koalicioni VLEN mbajti tubim në komunën e Likovës, ku para një
numri të madh të qytetarëve foli edhe një nga liderët e koalicionit dhe
kandidat për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti i cili theksoi
se shqiptarët sot janë politikisht më të pjekur dhe kërkojnë rezultate
konkrete, jo retorikë.
“Në zgjedhjet parlamentare do të flasim për çështje shtetërore, ndërsa
tani në zgjedhjet lokale fokusi ynë janë problemet lokale dhe
përmirësimi real i jetës së qytetarëve. Ata që kanë ikur nuk kthehen më
as për pushime, sepse mungojnë kushtet elementare. Ne nuk duam t’i
gënjejmë njerëzit që pas zgjedhjeve të mbeten pa ujë të pijshëm, pa
kanalizim ose të përballen me rreziqe si miniera në Llojan”, tha
Mexhiti.
Ai shtoi se VLEN vjen me program të qartë, ndryshe nga vitet e kaluara
ku janë shpërdoruar 1 miliardë euro për përmendore dhe projekte të
korruptuara.
“Edhe pse tani jemi në koalicion me Mickoskin, në dallim nga ata që
ishin me Gruevskin, ne e respektojmë Marrëveshjen e Ohrit dhe 1 miliardë
eurot i investojmë për forcimin e komunave dhe shtetit. E vendosëm
Badinterin në buxhet, morëm 30% dhe e lexuam qartë porosinë e qytetarëve
për ndryshim. Qytetari duhet ta shohë dallimin mes nesh dhe tyre dhe
vota të jetë investim për dinjitet dhe zhvillim”, deklaroi ai.
Mexhiti nënvizoi se qëllimi është që në zgjedhjet e ardhshme të mos
flitet më për kushte elementare, por për zhvillim dhe rikthim të
qytetarëve.
“Duam t’i mbajmë njerëzit në vendin tonë dhe ata që janë në kurbet të
kthehen me qejf për pushime, jo nga halli”, shtoi ai duke thumbuar
kështu koalicionin AKI të cilët nuk bëjnë më fushatë me thirrje
folklorike.
“AKI nuk thërret më nëpër tubime ‘UÇK’, sepse UÇK e vërtetë është në
zemrën e Likovës, tek Nexhmedin Sadiku, Lirim Jashari e Ismet Jashari.
Këtu është fryma e shqiptarisë, jo vetëm me fjalë, por me punë dhe
zgjidhje të problemeve që kanë mbetur për dekada, si deponia në
Nikushtak, kanali në Hasanbeg dhe Haraçinë”, përfundoi kështu Mexhiti.