• e martë, 20 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mexhiti: Do të flas me Mickovskin, Taravari nuk e ka vendin në këtë qeveri

Mexhiti: Do të flas me Mickovskin, Taravari nuk e ka vendin në këtë qeveri

Shkup, 21 prill 2025

Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Top Tema” në Sitel, komentoi situatën aktuale brenda koalicionit VLEN, duke theksuar se Taravari duhet të jetë i sinqertë me anëtarësinë dhe të pranojë publikisht që po bashkëpunon me BDI-në.


"Taravari u largua nga BDI kur kjo parti nuk ishte në listat e zeza, ndërkohë që tani gjysma e funksionarëve të BDI-së janë nën hetime. Është e qartë se ai po afrohet sërish me të njëjtën parti që tashmë është e zhveshur nga çdo vlerë morale dhe institucionale. Taravari duhet ta thotë të vërtetën për këtë bashkëpunim dhe të mos fshehë qëllimet e tij për të kaluar me BDI-në", tha Mexhiti.


Ai shtoi se mendimi i tij është se Taravari nuk ka vend në këtë qeveri, dhe këtë ai do ia komunikon edhe kryeministrit Hristijan Mickoski. Mexhiti theksoi se më e moralshme për Taravarin do të ishte ta braktisë qeverinë dhe të reflektojë për hapat që ka ndërmarrë.


2.
Mexhiti: Nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohëshme, kemi shumicë stabile, VLEN fitues absolut në zgjedhjet lokale


Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka theksuar se qeveria aktuale gëzon stabilitet të plotë dhe nuk ka asnjë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.


“Shumica është stabile, kemi thuajse ⅔ e deputetëve. Nuk shoh asnjë nevojë që qeveria të shpenzojë miliona euro për zgjedhje të panevojshme,” deklaroi Mexhiti në “Top Tema” në Sitel.


Ai shtoi se përqendrimi i ardhshëm i koalicionit është në zgjedhjet lokale, ku sipas tij, VLEN-i do të dalë fitues absolut. Mexhiti tha se për këtë qëllim, koalicioni do të bashkëpunojë edhe me organizatat joqeveritare dhe, nëse paraqitet nevoja, edhe me kandidatë mbipartiak në disa komuna.


3.
VLEN është i bashkuar rreth ideve për pluralizëm dhe luftë kundër korrupsionit


Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë, Izet Mexhiti, në edicionin e lajmeve të Sitel TV në "Temën e Ditës" diskutoi për gjendjen në koalicionin "VLEN". 


Kur u pyet nëse koalicioni "VLEN" është para shpërbërjes, ai u përgjigj qartë se ka disa procese, por koalicioni është stabil.


"VLEN nuk po shpërbëhet. Ne jemi bashkuar rreth një ideje, për të sjellë pluralizëm dhe demokraci në kampusin shqiptar, luftë kundër korrupsionit dhe ende qëndrojmë në këtë, përveç zotit Taravari i cili për arsye individuale dhe partiake, doli në sipërfaqe që ka bashkëpunuar për një periudhë të gjatë prej disa muajsh me Bashkimin Demokratik për Integrim", theksoi lideri i LD-së. 


Ai shtoi se VLEN ka një qëndrim të qartë se nuk mund të koalicionohet njëkohësisht me VLEN dhe BDI-në.


4.
Mexhiti: Taravari duhet t’ia thotë hapur anëtarësisë – po bashkohet me BDI-në


Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, nga “Top Tema” në Sitel, i dërgoi mesazh të qartë Arben Taravarit: 
“Anëtarësia dhe qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën.”
Sipas Mexhitit, Taravari nuk duhet të fshihet pas justifikimeve politike, por duhet t’ia thotë hapur strukturave të tij dhe elektoratit se po afrohet me BDI-në – një parti që është zhveshur nga çdo vlerë institucionale dhe është shpallur non grata nga faktori ndërkombëtar.


“Nuk ekziston asnjë teori politike që e justifikon bashkëpunimin me një parti të korruptuar, ndërkohë që pretendon se je pjesë e një qeverie të re dhe reformuese. Kjo është tradhti ndaj anëtarësisë dhe qytetarëve që besuan te ndryshimi,” theksoi Mexhiti.


5.
Mexhiti në “Top Tema”: Taravari e pengoi unifikimin, tash procesi po ecën më lehtë


Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në emisionin “Top Tema” në Sitel TV tha se tashmë po bëhet e qartë se Arben Taravari ka qenë pengesa kryesore për unifikimin e koalicionit VLEN.


“Sot është më e dukshme se kurrë që Taravari ka qenë problemi për bashkimin e VLEN-it. Gjatë gjithë kohës, populli ka pasur dëshirë për unifikim, ndërsa ai zgjodhi të bëjë kalkulime për partinë e tij, jo për interesin e përbashkët,” theksoi Mexhiti.


Ai shtoi se tani, pas largimit të kësaj pengese, forcat brenda VLEN-it po koordinohen shumë më lehtë drejt një subjekti të vetëm politik. “Procesi i unifikimit po ecën natyrshëm, sepse  tashmë nuk ka më ndalesa artificiale,” u shpreh ai.

______________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR