• e diel, 22 dhjetor 2024

Mexhiti: 12 top projekte në 12 muajt e fundit

Mexhiti: 12 top projekte në 12 muajt e fundit

Shkup, 31 dhjetor 2023 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti përmes një video-drejtimi uron të gjithë qytetarët vitin e ri 2024, duke i uruar shumë shëndet, paqe dhe mirëqenie.

Në fjalën e tij Mexhiti iu referua edhe projekteve të realizuara që shënuan vitin 2023.

Ai informoi se këtë vit ka nisur reforma në shëndetësinë parësore, me të cilën pacientët nuk duhet të shkojnë më tek specialistët për nevoja elementare dhe mjekët e familjes ndihen të vlerësuar.

“Pas 13 vitesh po rishikojmë listën pozitive të ilaçeve. Dhjetë ilaçe të reja do të jenë në listën pozitive, të cilat do tju kursejnë para pacientëve. Jam krenar që për herë të parë e kemi blerë ilaçin Trikafta. Ajo që askush nuk besonte se do të ndodhte, tashmë është një realitet. Nga viti i ardhshëm ilaçet do të blihen rregullisht nga Fondi i Shëndetësisë. Gjithashtu, kemi prezantuar edhe 6 ilaçe të reja për pacientët me sëmundje të rralla. Ne kujdesemi për të gjithë pacientët njëlloj, personat me sëmundje të rralla nuk duhet të ndihen të refuzuar”, thotë ministri Mexhiti.

Mexhiti kujtoi se pikërisht në vitin 2023 janë siguruar 650 sensorët e nevojshëm për matjen pa dhimbje të sheqerit në gjak.

“Fëmijët me diabet nuk do të kenë më nevojë të shpohen, jeta e tyre do të jetë më e bukur dhe më e lehtë. Jemi të përkushtuar seriozisht për blerjen e pajisjeve të reja. Dyfishuam buxhetin për blerjen e pajisjeve nga 2.6 në 5 milionë euro. Pajisje mjekësore janë blerë në më shumë se 10 institucione shëndetësore. Përmirësuam kushtet në 11 institucione shëndetësore publike. Nëpërmjet rinovimit të plotë të klinikave dhe spitaleve në të gjithë vendin, kemi ofruar kushte më të mira për pacientët dhe punonjësit shëndetësorë. Po e fusim sërish në funksion sistemin KATO për dozimin dhe kontrollin e terapisë në pacientët onkologjikë. Askush nuk do të mund të abuzojë më me ilaçet për pacientët onkologjikë. “Ne e ruajtëm besimin tek sistemi dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha Mexhiti.

Tek video-mesazhi, Mexhiti theksoi se kapacitetet e Ndihmës Mjekësore Emergjente, po forcohen me blerjen e 22 autoambulancave të reja dhe theksoi se për herë të parë është bërë i mundur transporti me helikopter për rastet më urgjente. Tani do të mund të reagohet shpejt kur një pacient është në rrezik.

“Kemi ngritur dy herë pagat e punonjësve të shëndetësisë. Investojmë në stafin tonë të vyer, ata janë krenaria e shëndetësisë publike. Për herë të parë dënohen parregullsitë në shëndetësi! Vendosim rend dhe rregull për të punuar në mënyrë më efikase. Me të njëjtin ritëm, vazhdojmë edhe në vitin e ardhshëm 2024. Gëzuar Vitin e Ri dhe Krishtlindjen, shumë shëndet, lumturi, paqe dhe mirëqenie për të gjithë!”, thekson Mexhiti. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR