• e diel, 10 nëntor 2024

Mexhiti: Është herët të flitet për koalicion me VMRO-DPMNE-në, në Qeverinë e re nuk do të hyjmë me çdo çmim

Mexhiti: Është herët të flitet për koalicion me VMRO-DPMNE-në, në Qeverinë e re nuk do të hyjmë me çdo çmim

Shkup, 12 shtator 2023 (MIA) - Në parim, mund të nënvizoj se për opozitën shqiptare është shumë i rëndësishëm orientimi politik i partive maqedonase, gjegjësisht në Qeverinë e re nuk do të hyjmë me çdo çmim, por do të kërkojmë fillimisht që të orientohen drejt procesit integrues, ndryshimeve kushtetuese, sepse vlerësojmë se është alternativa e vetme për qytetarët në Maqedoni.

Këtë e ka deklaruar lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti në ditarin në televizionin Sitel, duke iu përgjigjur pyetjes se a janë kundër koalicionit me VMRO-DPMNE-në.

Shtoi se është herët për të folur për këtë dhe theksoi se fillimisht pretendojnë të konsolidohen, të fitojnë në bllokun shqiptar dhe më pas, siç tha, të jenë pjesë e qeverisë së re.

I pyetur nëse përveç tri partive që janë pjesë e bllokut opozitar, kanë bisedime me parti të tjera politike dhe a është i mundur bashkëpunimi me një pjesë të opozitës që janë pjesë e partive maqedonase, Mexhiti theksoi se duhet të vihet re se për herë të parë pas 20 vitesh në bllokun shqiptar në skenën politike është një bllok opozitar i përfaqësuar nga Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa. Nëse opozita do të ishte e bashkuar, BDI do të kishte qenë disa herë opozitë dhe kjo ishte në vitin 2016 dhe në 2020.

"BDI-ja tashmë është thellësisht e përfshirë në krim, në biznesin e kazinove, çdo ditë hapen kredi të shpejta në lagjet tona", tha ndër të tjera Mexhiti.

E pyetur se çfarë ka më shumë gjasa, që të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, siç është edhe kërkesa e BESA-s, apo do të bëhen ndryshime kushtetuese, Mexhiti në ditarin e Sitelit theksoi se po flitet për integrime evropiane dhe vlera evropiane, por si tha, çdo ditë përballemi me abuzimin e flamurit evropian për amnisti për korrupsionin dhe krimin. Sundimi i ligjit, theksoi ai, nuk funksionon dhe reputacioni dhe besimi në sistemin juridik po shkatërrohet çdo ditë.

"Pavarësisht kësaj, ne si Lëvizje Demokratike dhe si opozitë shqiptare themi se prioritet janë ndryshimet kushtetuese, por çdo ditë sigurohemi që kjo qeveri nuk punon në atë plan, por me çdo kusht dëshiron të blejë një ditë më shumë për qeverisje, korrupsion dhe rrënim të rendit juridik", tha Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Lidhur me ndryshimet në Kodin penal, Mexhiti kujtoi se deputetët e Lëvizjes Demokratike kanë sqaruar se kjo ka dy drejtime, njëra ka të bëjë me kthimin e Nikolla Gruevskit dhe të njëjtat struktura që, siç tha ai, e kanë ndihmuar të arratiset nga Maqedonia dhe ky është sekret publik dhe tani po përgatisin terrenin për ta kthyer atë në vend.

“E dyta është mesazhi që vetë kjo qeveri e sheh se duhet të shkojë në opozitë dhe të mendojë për veten e tyre dhe për këtë arsye po bëjnë ndryshime të këtilla që më lehtë të kalojnë në pension politik”, vlerësoi ndër të tjera Mexhiti.

Lidhur me përgatitjen e Ligjit për amnistinë, për të cilin qeveria pretendon se qëllimi ishte zbrazja e burgjeve të plota, kreu i Lëvizjes Demokratike vlerëson se është një mesazh i keq për zyrtarët aktualë dhe të ardhshëm, sepse, thekson ai, kjo i inkurajon ata në korrupsion dhe krim.

"Kjo është faza e dytë pas ndryshimeve në Kodin penal. Paralajmërohet edhe amnisti, ajo që nuk është mbyllur me të parën, të mbyllet me amnisti. Kjo nuk është në favor të proceseve integruese, as të një shteti juridik, as të një shteti të prosperues", tha Mexhiti. mb?

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR