• e hënë, 23 dhjetor 2024

Meshal: Pa dallim të humbjeve, Hamasi do të ngritet nga hiri, si një feniks

Meshal: Pa dallim të humbjeve, Hamasi do të ngritet nga hiri, si një feniks

Bejrut, 8 tetor 2024 (MIA) - Lideri i Hamasit në ekzil, Kaled Meshal, sot deklaroi se grupi do të ngritet "si feniks nga hiri" edhe krahas humbjeve të mëdha të pësuara gjatë luftës njëvjeçare me Izraelin dhe se vazhdon të rekrutojë luftëtarë dhe të prodhojë armë.

Meshal tha se konflikti me Izraelin zgjat 76 vite, që daton nga ajo që palestinezët e quajtën "Nakba" ose "katastrofa", kur shumë palestinezë u zhvendosën gjatë luftës në vitin 1948 që çoi në krijimin e Izraelit.

"Historia e Palestinës është e përbërë nga ciklet. Kalojmë në faza kur humbim dëshmorë (viktima) dhe një pjesë të aftësive tona luftarake, por pastaj fryma palestineze ngritet, si feniks, falë Zotit", deklaroi Meshal për Rojters.

Meshal, i cili i mbijetoi atentatit në vitin 1997, pasi u injektua me helm dhe shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Hamasit nga viti 1996 deri në vitin 2017, tha se Hamasi mund të luftojë ende ushtarët izraelitë.

"Humbëm një pjesë të municionit dhe armëve tona, por Hamasi vazhdon të rekrutojë njerëz të rinj dhe vazhdon të prodhojë një pjesë të madhe të armëve dhe municionit të tij", tha Meshal, pa dhënë detaje.

Meshal është një nga gjashtë liderët e Hamasit të akuzuar nga Ministria amerikane për Drejtësi pas akuzave për terrorizëm për sulmin ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar. Ai tha se nuk sheh shanse për paqe derisa në pushtet në Izrael është qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

"Derisa ka pushtim (izraelit), rajoni është një bombë e kurdisur", tha Meshal.

Kabineti i kryeministrit izraelit refuzoi t'i komentojë deklaratat e Meshalit. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR