• e enjte, 15 janar 2026

Mesazhi i Ramës për Vuçiqin dhe Kurtin: Akulli do të kthehet nëse nuk lirohen policët! Albin dil nga guacka e vetizolimit

Mesazhi i Ramës për Vuçiqin dhe Kurtin: Akulli do të kthehet nëse nuk lirohen policët! Albin dil nga guacka e vetizolimit

Tiranë, 19 qershor 2023 (MIA) - Kryeministri Edi Rama sërish reagoi për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, duke dërguar mesazh për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Ai paralajmëroi prishjen e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, nëse tre policët e Kosovës nuk lirohen dhe bëri thirrjen e Departamentit Amerikan të Shtetit në Serbi, duke kërkuar lirimin e tyre.

"Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa. Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen", iu drejtua Rama presidentit serb me porosi në Tuiter.

Rama vlerëson se ka pak kohë për të qetësuar situatën dhe sa më gjatë që kryeministri kosovar të insistojë kundër aleatëve, situata mund të përkeqësohet.

"Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhtarë! Koha është tani dhe po fluturon!", shkroi Rama.

Ai këto ditë ka kërkuar nga Serbia lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar më 14 të këtij muaji.

"Ka nevojë urgjente, domosdoshmëri, urgjencë që tre policët e Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve ku kapen, këtu apo atje. Dhe nëse supozohet se kanë kaluar vijën kufitare, ka vetëm një përgjigje, kthimi i tyre në Kosovë", tha Rama.

Ai po ashtu vlerësoi se "Kosova ka një mundësi të artë në tryezë, për të përfunduar kapitullin e gjatë dhe të dhimbshëm mes dy vendeve" dhe paralajmëroi se "kjo mundësi mund të mos zgjasë përgjithmonë". sa/

QËNDRONI TË LIDHUR