• e premte, 05 dhjetor 2025

Merkeli: A do ta sulmonte Putini Ukrainën nëse nuk do të ndodhte pandemia?

Merkeli: A do ta sulmonte Putini Ukrainën nëse nuk do të ndodhte pandemia?

 Berlin, 6 tetor 2025 (MIA) - Ish-kancelarja gjermane Angela Merkeli dha një intervistë për median hungareze "Partizan" në të cilën, ndër të tjera, foli edhe për konfliktin në Ukrainë.

"Në qershor të vitit 2021, ndjeva se Putini nuk e merr më seriozisht Marrëveshjen e Minskut dhe për këtë arsye doja një format të ri, atëherë së bashku me Presidentin Makron, ku do të flisnim drejtpërdrejt me Putinin si Bashkim Evropian", tha Merkeli.

Por, ajo pretendon se hasi në rezistencë. "Disa njerëz nuk e mbështetën. Kryesisht ishin shtetet baltike, por edhe Polonia ishte kundër kësaj. Këto katër vende kishin frikë se nuk do të kishim një politikë të përbashkët ndaj Rusisë", tha ajo. 

 "Në çdo rast, formati i ri nuk u realizua. Unë u largova nga detyra, ndërsa pastaj filloi agresioni i Putinit, shtoi ajo. Në intervistë, Angela Merkeli theksoi vazhdimisht se sa e rëndësishme është, sipas saj, të ruhet dialogu, madje edhe midis taborëve kundërshtarë.

Ajo, gjithashtu, vazhdimisht  theksoi se shpërthimi i pandemisë së koronavirusit shkaktoi ndërprerjen e shumë kanaleve të komunikimit dhe ka tensionuar marrëdhëniet ndërkombëtare. Videokonferencat, tha politikania, nuk janë zëvendësim për bisedat ballë për ballë. 

"A do ta  sulmonte Putini Ukrainën nëse nuk do të ndodhte pandemia e koronavirusit? Askush nuk mund ta thotë. Koronavirusi e ndryshoi politikën botërore sepse nuk mund të takoheshim më", tha ajo. 

 Merkeli theksoi se vetë Putini nuk ka marrë pjesë në samitin e G20-ës në vitin 2021 "nga frika e pandemisë së koronavirusit".

"Nëse nuk mund të takoheni dhe t'i zgjidhni dallimet në mendime, atëherë nuk mund të gjesh kompromise të reja. Videokonferencat nuk janë të mjaftueshme në një situatë të tillë", tha Merkeli, e cila ishte kancelare nga nëntori i vitit 2005 deri në dhjetor të vitit 2021. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR