Merci sot udhëton për takim me aleatët në Paris dhe Varshavë
- Kancelari i ri gjerman Fridrih Merc sot udhëton për në Francë dhe Poloni për të rivendosur marrëdhëniet me aleatët kryesorë dhe për të treguar se Gjermania po kthehet në skenën ndërkombëtare.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:42, 7 maj, 2025
Berlin, 7 maj 2025 (MIA) - Kancelari i ri gjerman Fridrih Merc sot udhëton për në Francë dhe Poloni për të rivendosur marrëdhëniet me aleatët kryesorë dhe për të treguar se Gjermania po kthehet në skenën ndërkombëtare.
Udhëtimi i planifikuar më parë vjen një ditë pasi Merc u zgjodh kancelar në Bundestag në përpjekjen e tij të dytë. Mossuksesi në raundin e parë tregoi përçarjen e koalicionit të konservatorëve të tij me Socialdemokratët.
Megjithatë, aleatët e Gjermanisë shpresojnë që Merci do t’i rikthejë statusin Berlinit si lider në Evropë, pasi qeveria e fundit e kancelarit socialdemokrat Olaf Shocz u shënua nga mosmarrëveshje të brendshme që rezultuan në rënien e koalicionit në nëntor të vitit të kaluar.
Merci merr drejtimin e Gjermanisë në një kohë kur Evropa po përpiqet të bie dakord për garancitë e sigurisë për Ukrainën, të cilat do të ishin pjesë e çdo marrëveshje të mundshme me Rusinë dhe negociatat për një marrëveshje tregtare me SHBA-në, pasi presidenti i SHBA-së Donald Tramp njoftoi tarifa për pothuajse të gjithë botën.
"Pas mosmarrëveshjeve të brendshme dhe meditimeve politike joproduktive nga qeveria e mëparshme, tani nevojitet një lidership gjerman që jo vetëm përmbush politikën evropiane, por edhe e formëson atë", deklaroi Jana Puglierin, shefe e zyrës në Berlin e organizatës think-tank Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme.
Për herë të parë pas shumë vitesh, e njëjta parti ka një kancelar dhe një ministër të jashtëm. Merc gjithashtu dëshiron të formojë një këshill sigurie kombëtare për të koordinuar më mirë të gjitha politikat e jashtme, të zhvillimit dhe të mbrojtjes.
Konservatori (69), anëtar i Parlamentit Evropian nga viti 1989 deri në vitin 1994 i cili më vonë u tërhoq nga politika dhe u zhvendos në sektorin privat, paralajmëroi se donte të riparonte marrëdhëniet me aleatët evropianë.
Marrëdhëniet e tendosura me SHBA-në e kanë bërë këtë një imperativ edhe më të madh. Natën që u zgjodh, Merc theksoi se Evropa duhet të fitojë pavarësi më të madhe nga SHBA-ja në mbrojtje.
Ndalesa e tij e parë sot është Parisi, ku do të takohet me presidentin Emanuel Makron, me të cilin, sipas zyrtarëve francezë, ai tashmë ka marrëdhënie të mira.
Merc më vonë udhëton për në Poloni, duke demonstruar rëndësinë në rritje të këtij vendi në politikën evropiane. qa/
Foto: EPA