Merci kërkoi nga administrata e Trampit të qëndrojë larg politikës gjermane
- Kancelari i ri gjerman Fridrih Merc mbrëmë i bëri thirrje administratës së presidentit amerikan Donald Tramp që të "qëndrojë larg" politikës së brendshme të Gjermanisë, pasi disa funksionarë amerikanë i dhanë mbështetjen e tyre partisë së ekstremit të djathtë AfD.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 08:24, 7 maj, 2025
Berlin, 7 maj 2025 (MIA) - Kancelari i ri gjerman Fridrih Merc mbrëmë i bëri thirrje administratës së presidentit amerikan Donald Tramp që të "qëndrojë larg" politikës së brendshme të Gjermanisë, pasi disa funksionarë amerikanë i dhanë mbështetjen e tyre partisë së ekstremit të djathtë AfD.
Duke paralajmëruar se nesër do të zhvillojë bisedën e tij të parë telefonike me presidentin amerikan Tramp, lideri i ri gjerman deklaroi për televizionin ZDF se dëshiron të "inkurajojë dhe t'i bëjë thirrje qeverisë amerikane që ta lërë politikën e brendshme të Gjermanisë të mbetet një çështje e brendshme dhe të qëndrojë larg mendimeve politike partiake".
Zëvendëspresidenti amerikan Xh.D Uens dhe sekretari i shtetit Marko Rubio të premten kritikuan ashpër të vendimin e shërbimit të inteligjencës BfD të Gjermanisë për ta klasifikuar partinë AfD si një organizatë ekstremiste të krahut të djathtë, duke e nënshtruar atë ndaj mbikëqyrjes së shtuar qeveritare.
Merci tha se donte të "bënte gjithçka" për të "rivendosur besimin" e votuesve aktualë në AfD-në e ekstremit të djathtë, e cila po fiton forcë dhe tani është grupi më i madh opozitar në Bundestag.
Ai, gjithashtu, tha se me klasifikimin e fundit të partisë nga shërbimi i inteligjencës si "e krahut të djathtë ekstremist", problemi fundamental "nuk është zgjidhur".
Në intervistën e tij të parë që kur u bë kancelar, Merci shprehu gjithashtu shqetësim të konsiderueshëm për situatën në Gazë dhe i bëri thirrje Izraelit, ku do të shkojë ministri i tij i jashtëm, të "respektojë detyrimet e tij humanitare".
"Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga Hamasi, por duhet të mbetet edhe një vend që respekton detyrimet e tij humanitare", tha Merci, duke shtuar se kjo ishte veçanërisht e rëndësishme në Rripin e Gazës, ku po zhvillohet një "luftë e tmerrshme" në një vend ku është e nevojshme të zhvillohet një konflikt me "terroristët e Hamasit".
Ai tha se ministri i tij i ri i Punëve të Jashtme, Johan Vadeful, do të shkojë në Izrael në fund të javës.
Foto: DPA