Merci do të diskutojë për përgjigjen bërthamore me Francën dhe Britaninë e Madhe
- - Kancelari i sapozgjedhur gjerman Fridrih Merc deklaroi se ai planifikon të fillojë shpejt bisedimet me Francën dhe Britaninë e Madhe për atë se si të organizojnë përgjigjen bërthamore të Evropës në të ardhmen.
- Post By Fami Bajrami
- 17:10, 7 maj, 2025
Paris, 7 maj 2025 (MIA) - Kancelari i sapozgjedhur gjerman Fridrih Merc deklaroi se ai planifikon të fillojë shpejt bisedimet me Francën dhe Britaninë e Madhe për atë se si të organizojnë përgjigjen bërthamore të Evropës në të ardhmen.
"Shoh nevojë fondamentale për të biseduar me Francën, ndërsa gjithashtu dhe me Britaninë e Madhe, për çështjet se si mund të vazhdojmë të ofrojmë një përgjigje të tillë parandaluese së bashku në të ardhmen", tha Merci gjatë vizitës së tij inauguruese të sotme në Paris.
Merci theksoi se parashikon një shtesë në "ombrellën e mbrojtjes bërthamore" amerikane, ndërsa jo "zëvendësim".
Kancelari konservator, i cili mori detyrën dje, tha se ai dhe presidenti francez Emanuel Makron, si dhe ministrat e tyre të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, do të takohen në muajt e ardhshëm për të diskutuar çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, duke përfshirë përgjigjen bërthamore.
Merci udhëtoi drejt Parisit për t'u takuar me Makronin 17 orë pas marrjes së funksionit në Berlin, pasi që atij iu deshën dy përpjekje për t'u zgjedhur kancelar nga ana e Parlamentit.
Edhe ai edhe presidenti francez premtuan se do të revitalizojnë lidhjet franceze-gjermane, në mënyrë që ata të mund të ofrojnë një udhëheqje më të mirë në Evropë në dritën e kthimit në politikën e jashtme nën administratën e Trampit. rq/
Foto: EPA