Merci bën thirrje për deeskalim të situatës në Lindjen e Mesme dhe ofron ndihmë evropiane
- Kancelari gjerman Fridrih Merci bëri thirrje për deeskalim të tensioneve në Lindjen e Mesme, duke theksuar se sinjalet nga presidenti amerikan Donald Tramp tregojnë në mundësinë e ndërprerjes së operacioneve luftarake në Iran.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:34, 19 mars, 2026
Bruksel, 19 mars 2026 (MIA) - Kancelari gjerman Fridrih Merci bëri thirrje për deeskalim të tensioneve në Lindjen e Mesme, duke theksuar se sinjalet nga presidenti amerikan Donald Tramp tregojnë në mundësinë e ndërprerjes së operacioneve luftarake në Iran.
"Jam jashtëzakonisht mirënjohës që presidenti amerikan mbrëmë dërgoi një sinjal se është gati të ndërpresë armiqësitë. Megjithatë, kjo supozon se Irani do të braktisë programin e tij bërthamor, do të ndalojë terrorizmin dhe do të jetë gati të angazhohet në bisedime. Nëse e gjithë kjo është e mundur në ditët në vijim, atëherë po ecim në drejtimin e duhur", deklaroi Merci para gazetarëve përpara samitit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Ai gjithashtu tha se pyetja e vërtetë është se si Evropa mund të imponohet në këtë botë gjithnjë e më sfiduese dhe të sigurojë që të mund ta ruajmë ritmin, si në aspektin e aftësive mbrojtëse ashtu edhe të furnizimit me energji.
"Dhe e gjithë kjo është e mundur vetëm me një ekonomi të fortë. Prandaj sot duhet të arrijmë përparim të konsiderueshëm. Jam i bindur se do të kemi sukses", tha Merci.
Ai shtoi se duhet të bisedohet edhe për çmimet e energjisë, pasi këtë mëngjes pati një rritje të ndjeshme të çmimeve në të gjithë Evropën dhe botën.
"Kjo, gjithsesi, është kryesisht për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Dua të dërgoj një sinjal të qartë se jemi të gatshëm të ndihmojmë. Por që kjo të ndodhë, armiqësitë duhet të ndalen", tha kancelari gjerman.
Foto: DPA