• e enjte, 22 janar 2026

Merc e përshëndet ndryshimin e qëndrimit të Trampit lidhur me tarifat për Grenlandën

Merc e përshëndet ndryshimin e qëndrimit të Trampit lidhur me tarifat për Grenlandën

Davos, 22 janar 2026 (MIA) – Kancelari gjerman Fridrih Merc e përshëndeti vendimin e presidentit amerikan Donald Tramp për të tërhequr kërcënimin e tij për vendosjen e tarifave të reja ndaj aleatëve evropianë, nëse ata vazhdojnë t’i kundërshtojnë përpjekjet e tij për të marrë nën kontroll Grenlandën.

“Përshëndes vërejtjet e presidentit Tramp nga mbrëmë. Kjo është rruga e duhur,” tha Merc në Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku Trampi dje papritmas hoqi dorë nga përdorimi i forcës për të marrë Grenlandën, një territor kryesisht autonom arktik që është pjesë e anëtares së NATO-s, Danimarka.

"Trampi më vonë tha se gjithashtu do të përmbahet nga vendosja e tarifave shtesë ndaj një grupi aleatësh evropianë të NATO-s, të cilët mbështesin Grenlandën dhe Danimarkën, që i refuzuan fuqishëm pretendimet e Trampit se SHBA-ja ka nevojë për ishullin për arsye të sigurisë kombëtare.

“Çdo kërcënim për të marrë një territor evropian me forcë do të ishte i papranueshëm. Zonja dhe zotërinj, tarifat e reja gjithashtu do të dobësonin themelet e marrëdhënieve transatlantike,” tha Merc, i cili gjithashtu shprehu mbështetje të fuqishme për sovranitetin e Grenlandës

Megjithatë, ai pranoi se aleatët evropianë “duhet të bëjnë më shumë për të siguruar veriun e lartë si NATO”.

Merc premtoi se do të forcojë pjesëmarrjen gjermane në mbrojtjen e rajonit arktik.

“Fqinjët dhe partnerët tanë në Evropë, përfshirë Danimarkën dhe popullin e Grenlandës, mund të llogarisin në solidaritetin tonë,” tha Merc në Forumit Ekonomik Botëror në Davos sot.

“Ne do ta mbrojmë Danimarkën, Grenlandën, veriun, nga kërcënimi që paraqet Rusia. Ne do t’i respektojmë parimet mbi të cilat bazohet partneriteti transatlantik, konkretisht sovranitetin dhe integritetin territorial.”

Lideri gjerman tha se përshëndet faktin që SHBA-ja e merr “seriozisht” kërcënimin që paraqet Rusia në rajon.

“Ne ndajmë bindjen se si aleatë evropianë të NATO-s, duhet të bëjmë më shumë për të siguruar veriun e lartë si NATO” tha ai. "Gjermania po e bën pikërisht këtë. E bëjmë këtë brenda NATO-s dhe do të bëjmë edhe më shumë". ls/ 

Foto: DPA 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR