Merc dha betimin si kancelari i 10-të i Gjermanisë
- Konservatori gjerman Fridrih Merc sot e dha betimin si kancelar para presidentit Frank-Valter Shtajnmaer.
- Post By Fami Bajrami
- 17:45, 6 maj, 2025
Berlin, 6 maj 2025 (MIA) - Konservatori gjerman Fridrih Merc sot e dha betimin si kancelar para presidentit Frank-Valter Shtajnmaer.
Merc (69) është zgjedhur për kancelar në rrethin e dytë të votimit në Bundestag.
"Për" Mercin votuan 325 nga gjithsej 630 deputetë, ndërsa për zgjedhjen e tij nevojiteshin 316 vota. Të pranishëm në votim ishin 618 deputetë, prej të cilëve "kundër" Mercit u deklaruan 289 deputetë, një votoi i "përmbajtur", ndërsa kishte dhe tre vota të pavlefshme.
Merc është kandidati i parë për kancelar, i cili nuk u votua në votimin e parë në historinë gjermane pas Luftës së Dytë Botërore.
Koalicioni i tij i ri, i përbërë nga Unioni i tij Kristiano Demokratik (CDU), Unioni Kristiano Social (CSU) vetëm në Bavari dhe Partia Social Demokrate (SPD) e qendrës së majtë – ka 328 vende, ndërsa në votimin e parë Merc mori mbështetjen e vetëm 310 deputetëve, gjashtë vota më pak se shumica e kërkuar.
Merc do të zëvendësojë Olaf Sholcin, koalicioni trepalësh i të cilit u shkatërrua në nëntor të vitit të kaluar, për të cilin shkak u organizuan zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pas disa javësh negociatash, konservatorët dhe SPD-ja arritën marrëveshje koalicioni, që u miratua nga tre partitë dhe u nënshkrua zyrtarisht dje në Berlin. rq/bsh/
Foto: DPA