Merc: Besimi në demokraci është në nivelin më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore
- Kancelari i ardhshëm gjerman, Fridrih Merc, sot tha se besimi në demokraci në vendin e tij është minuar, diçka që ai e lidhi me mbështetjen e rritur për të djathtën ekstreme, raportuan agjencitë botërore.
- Post By Sara Ademi
- 16:53, 28 prill, 2025
Berlin, 28 prill 2025 (MIA) - Kancelari i ardhshëm gjerman, Fridrih Merc, sot tha se besimi në demokraci në vendin e tij është minuar, diçka që ai e lidhi me mbështetjen e rritur për të djathtën ekstreme, raportuan agjencitë botërore.
"Besimi në demokracinë tonë është minuar si asnjëherë më parë në historinë e pasluftës në vendin tonë", tha Merc në konventën partiake të Unionit Demo-kristian (CDU), duke vënë në dukje ngritjen e partisë antimigruese Alternativa për Gjermaninë.
Bashkimi Evropian është "nën kërcënim" nga lufta në Ukrainë, si dhe nga "qytetarët e frikësuar, të pasigurt, madje edhe nga qytetarët e radikalizuar në kufijtë e saj", tha Merc.
"Më tutje, nga fillimi i këtij viti filluam të kuptojmë se më shumë nuk mund të jemi të sigurt në lidhjet transatlantike në frymën e lirisë dhe në bazë të rregullave dhe rendit", shtoi ai.
Merc, gjithashtu, paralajmëroi se është e paqartë nëse lidhja ushtarake e NATO-s do të mbijetojë në dekadat në vijim.
"Do t'i propozojmë SHBA-së se më mirë do të jetë nëse të gjitha tarifat doganore në tregtinë e ndërsjellë bien në zero", tha kancelari me shumë gjasa i ri gjerman.
Ai, gjithashtu, propozoi "njohje të ndërsjellë të standardeve teknologjike", ndërmjet Gjermanisë dhe SHBA-së.
"Ajo që kemi parë në vitet dhe dekadat e fundit janë barriera teknike gjithnjë e më të ndryshme midis vendeve të mëdha tregtare në botë, të cilat duhet t'i kapërcejmë dhe të cilat gjithashtu mund të kontribuojnë në një reduktim të qëndrueshëm të burokracisë", shtoi ai. sa/
foto: DPA