• e hënë, 23 dhjetor 2024

Meloni i kritikoi Makronin dhe Sholcin se nuk e kishin ftuar në darkën me Zelenskin

Meloni i kritikoi Makronin dhe Sholcin se nuk e kishin ftuar në darkën me Zelenskin

Bruksel, 9 shkurt 2023 (MIA) - Kryeministrja italiane, Xhorxha Meloni sot i kritikoi Francën dhe Gjermaninë, sepse nuk ishte ftuar në darkën në Paris me presidentin e Ukrainës, Volodomir Zelenski. 

Presidenti francez, Emanuel Makron dhe kancelari gjerman Olaf Sholc u takuan me Zelenskin mbrëmë në Paris, para samitit të sotëm të BE-së.

Por, për dallim nga viti i kaluar, kur kryeministri i atëhershëm italian, Mario Dragi punonte krah për krah me Makronin dhe Sholcin për Ukrainën, Meloni nuk ishte ftuar, komentojnë agjencitë botërore.

Në deklaratën gjatë mbërritjes në samitin në Bruksel, Meloni, e cila e mori funksionin e kryeministres në tetor të vitit të kaluar, tha se vlerëson se kjo është joadekuate.

"Mendoj se forca jonë në këtë luftë është uniteti", theksoi ajo.

Meloni më vonë u takua me Zelenskin në margjinat e samitit të BE-së.

Duke e komentuar deklaratën e saj, Makroni tha se vlerëson se darka e mbrëmshme ishte organizuar në mënyrë adekuate. 

"Siç e dini, Gjermania dhe Franca kanë rol të veçantë kur bëhet fjalë për Ukrainën tashmë tetë vjet", tha Makroni duke menduar në ndërmjetësimin e përbashkët të të dyja vendeve të cilat tentuan të parandalojnë konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR