• e hënë, 23 dhjetor 2024

Meloni akuzon Borellin se po punon kundër arritjes së zgjidhjes për migrantët në Evropë

Meloni akuzon Borellin se po punon kundër arritjes së zgjidhjes për migrantët në Evropë

 Romë, 18 shtator 2023 (MIA) - Kryeministrja italiane Xhorxha Meloni sot në seancën qeveritare e ka akuzuar shefin e diplomacisë evropiane Zhosep Borellin dhe partitë e të majtës në Itali dhe pjesën tjetër të Evropës se ata po punojnë kundër arritjes së një zgjidhjeje për të frenuar fluksin e një numri të madh migrantësh në kontinentin evropian, deklaruan burimet për ANSA-n.

Burimet thanë për ANSA-n se Meloni akuzoi Borellin për letrën që gjoja ia ka dërguar më 7 shtator Komisarit për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhei, në të cilën e ka kritikuar miratimin e një memorandumi për mirëkuptimi me Tunizinë, i cili parashikon bashkëpunim për ndalimin e fluksit të migrantëve nga vendi i Afrikës Veriore.

 Meloni luajti një rol kyç në arritjen e kësaj marrëveshjeje, kujton ANSA.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajeni dhe kryeministrja italiane, këtë fundjavë, gjatë kohës së vizitës së tyre në Lampeduza, u bënë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të ndihmojnë Italinë në krizën e migrantëve që po kalon aktualisht.

Presidenti francez Emanuel Makroni u zotua për solidaritet evropian me Italinë.

Në ishullin italian të Lampeduzas, javën e kaluar mbërritën rreth 11.600 migrantë.

Qeveria italiane vendosi një gjendje të jashtëzakonshme gjashtëmujore në fund të marsit për shkak të fluksit të madh të migrantëve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme italiane, nga fillimi i këtij viti deri në mars, në Itali kanë mbërritur rreth 31.300 migrantë, që paraqet një rritje të ndjeshme krahasuar me rreth 7.900 migrantë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. qa/ar/

 

  

 

QËNDRONI TË LIDHUR