• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

MEF 2023: Tranzicion energjetik gjithpërfshirës, të veprohet në diversifkimin e resurseve

MEF 2023: Tranzicion energjetik gjithpërfshirës, të veprohet në diversifkimin e resurseve

Shkup, 30 maj 2023 (MIA) - Tranzicioni i energjisë është një kyç në trajtimin e problemeve klimatike, por ai duhet të jetë gjithëpërfshirës. Është i nevojshëm veprimi urgjent për diversifikimin e burimeve energjetike, por edhe zhvillimin e tregjeve për të përcjellë ndryshimet duke krijuar një mjedis mundësues dhe inkurajues, u tha në hapjen e edicionit të gjashtë të Forumit Energjetik MEF 2023, që po mbahet nga sot në Shkup.

"Ndryshimet e përshpejtuara klimatike dhe degradimi i mjedisit që na çojnë drejt një kalimi urgjent nga burimet fosile në burimet e rinovueshme të energjisë me emetim të ulët të gazrave serrë, të cilat duhet t'i konsiderojmë të domosdoshme në krijimin dhe zbatimin e politikave. Thuhet se vetëm ndryshimi është konstant, ndaj transformimet energjetike janë një proces konstant, aktualisht me një hap të përshpejtuar drejt burimeve të rinovueshme të energjisë, por planifikimi dhe përgatitja për fazat e ardhshme është ajo që garanton qëndrueshmëri dhe stabilitet", tha zëvendeskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Sipas tij, para ekonomisë portretizohet një e ardhme në të cilën burimi i energjisë vitale është duke lëvizur nga lëndët djegëse fosile te era, dielli dhe uji. Ky transformim, tha ai, do të përfshijë hapjen e vendeve të reja të gjelbra dhe shumë produktive, të cilat sipas parashikimeve për vitin 2030 do të krijojnë 38 milionë vende pune në këtë sektor dhe në vitin 2050 ky numër do të rritet në 50 milionë vende të reja pune.

Zëvendëskryeministri vlerësoi se zhvillimi i tregjeve që ata të mund të ndjekin ndryshimet, është i mundur vetëm përmes krijimit të një mjedisi favorizues dhe inkurajues.

"Vendi ynë është lider në rajon me aktet ligjore dhe nënligjore të miratuara dhe tashmë të zbatuara, të cilat janë plotësisht në përputhje me Komunitetin Evropian të Energjisë, me të cilin mundësohet liberalizimi i tregut të energjisë. Duke përafruar politikat energjetike, teknologjitë moderne të energjisë dhe mobilizimin e financave, ne hapim rrugën për një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese energjetike që zbut ndryshimet klimatike, përmirëson sigurinë energjetike dhe nxit rritjen ekonomike. Të gjitha politikat dhe masat e Qeverisë, me të cilat krijojmë një të ardhme më të mirë energjetike për vendin, janë të fokusuara në ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë bazike dhe prodhimin e njëkohshëm të energjisë nga burimet e rinovueshme", tha Bytyqi.

Për sa i përket prodhimit të energjisë bazike elektrike, procesi i vlerësimit të ofertave për ndërtimin e burimit më të madh të hidro kapaciteteve për projektin "Çebren", me një vlerë investimi të vlerësuar prej një miliard eurosh dhe një kapacitet të parashikuar të prodhimit të energjisë bazike prej 300 - 330 megavatë.

Në forum u theksua edhe rëndësia e lidhjes energjetike, nëpërmjet ndërtimit të interkonektorit me Shqipërinë, me të cilin do të përfundojë Korridori 8 për transmetimin e energjisë elektrike Lindje-Perëndim midis Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Italisë. Gjithashtu, rritja e kapacitetit transmetues të korridorit 10 duke rritur kapacitetin e interkonektorit Manastir - Lerin, i cili duhet të dyfishohet në vitet e ardhshme.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po punon edhe për diversifikimin e furnizimit me gaz natyror, përmes ndërtimit të një interkonektorit me Greqinë. Përmes të cilit do të sigurojmë gaz për brezat e ardhshëm. Kjo do të thotë për ne se nuk do të jemi të varur vetëm nga gazi rus që vjen përmes interkonektorit me Bullgarinë, por edhe gazi nga terminali LNG në Aleksandrupoli do të jetë i disponueshëm për ne.

Porosi për nevojën nga diversifikimi i resurseve energjetike dërgoi edhe ambasadorja amerikane në shtet, Anxhela Ageler. 

Ajo vlerësoi se Evropa dhe Maqedonia e Veriut janë në udhëkryqin e disa çështjeve të hidhura të energjisë. Ajo theksoi se kriza energjetike e periudhës së kaluar, e cila ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe e nxitur nga agresioni rus në Ukrainë, theksoi se sa e rëndësishme është pavarësia energjetike, veçanërisht këtu në Maqedoninë e Veriut.

“Kemi bërë përpjekje kudo në Evropë, me partnerët tanë amerikanë, që të mbesim të ngrohta shtëpitë në Maqedoninë e Veriut, por këto çështje ende nuk janë zgjidhur. Dimri do të kthehet sërish dhe u bëj thirrje të gjithëve që të veprojnë urgjentisht për të diversifikuar burimet e energjisë", tha Ageler.

Ajo theksoi se SHBA-ja po punojnë shumë për të forcuar elasticitetin dhe qëndrueshmërinë energjetike dhe kujtoi se kohët e fundit kanë ndihmuar Maqedoninë e Veriut që të ketë tregti transparente dhe efikase të energjisë elektrike.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor i Fondacionit Shoqëri e Hapur, Andi Dobushi, gjithashtu potencoi se Ballkani Perëndimor është në udhëkryqin e diversifikimit energjetik dhe qëndrueshmërisë ekologjike.

"Ne jemi të bekuar me burime të mëdha natyrore nga burime të rinovueshme. Kjo rrugë kërkon jo vetëm burime natyrore, por edhe vizion dhe inovacion dhe mbi të gjitha përgjegjësi kolektive për të gjithë aktorët e përfshirë. Tranzicioni në energjinë e gjelbër është mundësi për të krijuar aleanca të reja për zhvillim ekonomikisht të qëndrueshëm", tha Dobushi.

Duke theksuar rëndësinë e drejtësisë klimatike, ai theksoi se ato inkurajojnë përfshirjen e qytetarëve dhe bizneseve të vogla në prodhimin e energjisë së gjelbër për shkak të demokracisë energjetike dhe rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse dhe përmirësimit të kohezionit social. Siç ka bërë të ditur ai, në atë drejtim, zyrat e fondacionit në vendet e Ballkanit Perëndimor po fillojnë projekt pilot për infrastrukturën e energjisë së gjelbër në shkollat ​​publike.

Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, vitin e kaluar është arritur një rekord historik në botë në instalimin e objekteve për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, që është 295 gigavat, që paraqet 83 për qind të investimeve të përgjithshme në prodhimin e energjisë elektrike. 

MEF Forumi Energjetik 2023 organizohet nga Instituti ZIP, në partneritet me Qeverinë dhe Delegacionin e BE-së në Shkup, nën patronazhin e zëvendëskryeministrit Bytyqi. fc/

Fotografitë: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

QËNDRONI TË LIDHUR