Medinski: Delegacioni rus është i gatshëm për bisedime konstruktive me Ukrainën
- – Shefi i delegacionit rus në bisedimet në Stamboll, Vladimir Medinski, deklaroi sot se qëllimi i kontakteve të drejtpërdrejta me palën ukrainase është vendosja e paqes afatgjate përmes zgjidhjes së shkaqeve rrënjësore të konfliktit.
- Post By Fitore Curri
- 17:52, 15 maj, 2025
Stamboll, 15 maj 2025 (MIA) – Shefi i delegacionit rus në bisedimet në Stamboll, Vladimir Medinski, deklaroi sot se qëllimi i kontakteve të drejtpërdrejta me palën ukrainase është vendosja e paqes afatgjate përmes zgjidhjes së shkaqeve rrënjësore të konfliktit.
Duke folur para mediave para fillimit të bisedimeve, Medinski theksoi se ekipi rus i ka të gjitha kompetencat e nevojshme dhe është i gatshëm për dialog konstruktiv, njoftuan mediat ruse.
“Delegacioni ynë i vlerëson këto bisedime si vazhdimësi e procesit paqësor që ishte ndërprerë në vitin 2022”, tha Medinski.
Sipas tij, qëllimi i kontakteve të drejtpërdrejta me Ukrainën është që të vendoset paqe afatgjate përmes mënjanimit të shkaqeve rrënjësore të konfliktit.
Medinski tha se presidenti rus Vladimir Putin i ka vendosur detyrat dhe e ka definuar pozitën negociuese në Stamboll pas takimit me të gjithë komandantët e Qarkut ushtarak qendror. fc/
Foto:EPA