Mediat izraelite: Netanjahu planifikon okupim të plotë të Gazës
- – Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu angazhohet drejt zgjerimit të operacioneve ushtarake dhe okupim të plotë të Rripit të Gazës, njoftoi Kanali 12 izraelit, duke iu referuar një funksionari në kabinetin e kryeministrit.
- Post By Fitore Curri
- 07:46, 5 gusht, 2025
Tel Aviv, 5 gusht 2025 (MIA) – Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu angazhohet drejt zgjerimit të operacioneve ushtarake dhe okupim të plotë të Rripit të Gazës, njoftoi Kanali 12 izraelit, duke iu referuar një funksionari në kabinetin e kryeministrit.
“Pritet që Netanjahu të konsultohet me kabinetin e tij dhe udhëheqësinë ushtarake në ditët në vijim që të marrë mbështetje për planin e tij”, njoftuan mediat. Portali i lajmeve ynetnews.com citonte një funksionar të lartë kinse i afërt me Netanjahun, i cili tha: "Zari është hedhur, ne po shkojmë drejt një pushtimi të plotë të Rripit të Gazës."
Netanjahu paraprakisht dje publikoi se do të japë “instruksione” këtë javë për vazhdimin e luftës në Rripin e Gazës. Në një video porosi të publikuar të dielën, kryeministri izraelit tha se Hamasi refuzon të pajtohet me zgjidhjen e dakorduar.
Përpjekjet për sigurimin e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve përmes bisedimeve indirekte ndërmjet Izraelit dhe Hamasit zgjasin me muaj pa rezultate. Forcat izraelite për momentin po kontrollojnë rreth 75 për qind të Gazës.
Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) kanë kundërshtuar vazhdimisht një pushtim të plotë të Rripit të Gazës, duke paralajmëruar se prishja e të gjitha tuneleve dhe bunkerëve të Hamasit mund të zgjasë me vite, sipas gazetës “Tajms of Izrael”. Udhëheqësit ushtarakë kanë paralajmëruar gjithashtu se një ofensivë që synon kapjen e të gjithë Gazës mund të rrezikojë jetën e pengjeve, të cilët ata kanë frikë se mund të vriten sapo të afrohen trupat izraelite.
Sipas raporteve, Netanjahu tani është i gatshëm ta pranojë atë rrezik. “Do të ketë aktivitete në zonat ku mbahen pengjet”, tha funksionari i cituar nga ynetnews.com.
Deri më tani, kryesisht ministrat e ekstremit të djathtë në qeverinë e Netanjahut bënë thirrje për okupim të plotë të Rripit të Gazës. fc/
Foto: EPA