• e diel, 22 dhjetor 2024

Me urdhër të SPAK është arrestuar dhëndri i Sali Berishës, i është marrë pasaporta Berishës

Me urdhër të SPAK është arrestuar dhëndri i Sali Berishës, i është marrë pasaporta Berishës

Tiranë, 21 tetor 2023 (MIA) - Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, është arrestuar mbrëmjen e sotme në aeroportin ndërkombëtar në Tiranë, njofton Top Çenëll. 

"Dëshmitarët kanë parë policinë që ka shoqëruar Malltezin në momentin që ka mbërritur në aeroport për të udhëtuar jashtë vendit. Arrestimi është bërë me urdhër të Prokurosisë Speciale për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, SPAK", shton televizioni.

E vetmja dosje me të cilën lidhet emri i Malltezit dhe për të cilën është kallëzuar në SPAK është ajo e privatizimit të ish klubit sportiv "Partizani".

Padia në SPAK për këtë dosje është çuar nga ministri i punëve të brendshme, Taulant Balla në kohën kur ishte kreu i grupit të Partisë Socialiste. Përveç tij ai e akuzoi edhe Berishën dhe ish ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami.

Hetimi i SPAK ka zgjatur dy vite.

"Malltezi në atë kohë u thirr nga SPAK dhe u mor në pyetje për këtë çështje ndërsa duket se Prokuroria e Posaçme ka gjetur provat e mjaftueshme për të arrestuar dhëndrin e ish-kryeministrit, që rezulton të jetë një prej pronarëve kryesorë të pallateve që fshiu gjurmët e kompleksit Partizani", thekson televizioni.

Në lidhje me këtë çështje, Berishës i është caktuar masa e sigurisë "detyrim paraqitje" ndërsa i është marrë edhe pasaporta. Akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. 

Bëhet fjalë për një pronë me rreth 10.000 m2, në qendër të Tiranës që në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë, dhe siç konstaton televizioni, është më pak se vlera e një garsoniere të shitur në atë zonë.

Klubi sportiv "Partizani" ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë ngritur 17 kulla.

Në maj para dy viteve për shkak të përfshirjes në korrupsion, SHBA-ja i shpalli si persona të padëshiruar Berishën dhe familjen e tij. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR