• e enjte, 30 janar 2025

Me dorëheqjen e kryeministrit e gjithë qeveria e Serbisë është në dorëheqje dhe mandat teknik

Me dorëheqjen e kryeministrit e gjithë qeveria e Serbisë është në dorëheqje dhe mandat teknik

Beograd, 28 janar 2025 (MIA) - Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq i cili sot dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i tij, deklaroi se do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri, ndërsa deri atëherë e gjithë qeveria do të jetë në dorëheqje dhe do të ketë mandat teknik.

"Do të bëj detyrën time derisa të zgjidhet kryeministër i ri. Në këtë moment e gjithë qeveria është në mandat teknik, me dorëheqjen e kryeministrit 'bie' i gjithë kabineti, bie figurativisht, praktikisht e gjithë qeveria është në dorëheqje”, tha ai.

"Ne do ta bëjmë punën tonë profesionalisht dhe me përgjegjësi derisa të zgjidhet qeveri e re ose derisa të merret vendim i ri ose i ndryshëm politik", ka thënë Vuçeviçi në konferencën për shtyp.

Kryeministri serb i cili dha dorëheqje sot nga posti, tha se tragjedia në Novi Sad kur u shemb çatia e stacionit hekurudhor hodhi hije të madhe mbi të gjitha arritjet e qeverisë dhe se Serbia nga ai moment ka ngecur në atë aksident.

“Ajo që hodhi hije të madhe mbi vitin e kaluar, por edhe mbi mandatin e kësaj qeverie, ka qenë ngjarja tragjike në Novi Sad më 1 nëntor 2024, një tragjedi e madhe”, ka thënë Vuçeviqi, duke rikujtuar se atëherë vdiqën 15 persona, ndërsa dy u lënduan rëndë. Dhe që nga ai moment Serbia sikur të ketë ngecur në atë aksident", shton Vuçeviqi.

Ai ka informuar se mëngjesin e sotëm ka pasur një bisedë të gjatë dhe përmbajtjesore me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe ka shtuar se Vuçiqi e ka pranuar vendimin dhe argumentet e tij.

Vuçeviq ka thënë se edhe kryetari i komunës së Novi Sadit, Millan Gjuriq do të japë dorëheqje.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR