• e hënë, 23 dhjetor 2024

Me 65 vota "pro" u zgjodh Qeveria teknike e kryesuar nga Talat Xhaferi

Me 65 vota

Shkup, 28 janar 2024 (MIA) - Kuvendi me 65 vota “pro” dhe tre “kundër” e votoi Qeverinë teknike të kryesuar nga Talat Xhaferi. Në seancë ishin të pranishëm 111 deputetë. Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë abstenuar votimin për qeverinë teknike. Detyra kryesore e qeverisë kalimtare është organizimi i zgjedhjeve parlamentare të ndershme dhe demokratike.

Kryeministri Xhaferi dhe ministrat dhanë deklarata solemne pas votimit të Qeverisë.

Në përbërjen e qeverisë kalimtare, zëvendëskryeministër i parë i qeverisë dhe zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane do të jetë Bojan Mariçiq, ndërsa Artan Grubi do të jetë ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve.

Pançe Toshkovski, me propozim të VMRO-DPMNE-së, është ministër i Punëve të Brendshme, si dhe Gjoko Vellkovskit ministër i Punës dhe Politikës Sociale.

Në vendet e deritanishme mbeten Krenar Lëoga - ministër i Drejtësisë, Bujar Osmani - ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi - ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi - ministër i Ekonomisë, Lupço Nikollovski - ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonmisë së Ujërave, Fatmir Mexhiti - ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri - ministër i Arsimit, Risto Penov - ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bisera Kostadinovska Stojçevska - ministre e Kulturës, Azir Aliu - ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Bllagoj Boçvarski - ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova. - ministre e Mjedisit dhe Fatmir Bytyqi, ministër pa portofol i ngarkuar për çështjet ekonomike dhe Sllavica Gërkovska, ministre pa portofol përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë.

Pritet që pas votimit të qeverisë teknike në Kuvend të mbahet një seancë tjetër, në të cilën do të votohet për zëvendësministrat plotësues, si dhe të verifikohet mandati i një deputeti që do të zëvendësojë Talat Xhaferin, të cilit i është besuar mandati për të formuar Qeveri teknike.

LSDM-ja e ka propozuar Mitko Bojmacaliev të jetë kandidat për zëvendësministër plotësues të Punëve të Brendshme, ndërsa ministrja e deritanishme Jovanka Trençevska do të jetë zëvendësministre plotësuese për Punë dhe Politikë Sociale.

VMRO-DPMNE propozoi Elena Petrovën për zëvendësministre plotësuese të Financave, Stefan Andonovskin të Shoqërisë Informative dhe Administratës dhe Cvetan Tripunovskin për Bujqësi Pylltari dhe Ekonomisë të Ujërave.

Qeveria kalimtare zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve të planifikuara për më 8 maj dhe do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen dy javë më parë.

Kjo është qeveria e tretë kalimtare ose teknike nga viti 2016 e këtej. Kryeministër i Qeverisë teknike në vitin 2016 ka qenë Emil Dimitriev, ndërsa në vitin 2020 ka qenë Oliver Spasovski. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR