• e premte, 05 dhjetor 2025

Mbrojtja civile në Gazë: 13 persona humbin jetën në sulmet izraelite afër qendrës për ndihmë

Mbrojtja civile në Gazë: 13 persona humbin jetën në sulmet izraelite afër qendrës për ndihmë

Gazë, 7 qershor 2025 (MIA) - Mbrojtja civile e Gazës sot kumtoi se 13 persona kanë humbur jetën në sulmet e forcave izraelite në dy vende të ndara, ndërsa gjashtë prej tyre u vranë nga të shtënat pranë një qendre të ndihmës të mbështetur nga SHBA në territorin jugor palestinez.

"Rreth orës 7:00 të mëngjesit, gjashtë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm nga 'f'orcat okupuese izraelite' pranë rrethrrotullimit të Alamit, ku njerëzit ishin mbledhur për të marrë ndihmë humanitare nga qendra amerikane në zonën jugore të Rafas", deklaroi Mahmud Basal, zëdhënës i mbrojtjes civile në territor.

Një banor i Gazës i pranishëm aty tha se mijëra njerëz janë tubuar rreth rrethrrotullimit dhe ndërsa qindra prej tyre janë përpjekur të hynë në qendrën e ndihmës, forcat okupuese izraelite hapën zjarr nga automjete të blinduara të vendosura pranë qendrës, duke qëlluar fillimisht në ajër dhe pastaj ndaj civilëve.

Deri tani nuk ka asnjë koment nga armata izraelite.

Kohët e fundit kanë ndodhur tragjedi të shumta pranë qendrës së ndihmës të drejtuar nga Fondacioni humanitar i Gazës (GHF), një organizatë me financim të errët dhe të mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli.

GHF filloi operacionet në Gazë në fund të majit, pas heqjes së pjesshme të bllokadës dymujore izraelite e cila e kishte privuar popullsinë e enklavës palestineze nga çfarëdo ndihme humanitare.

KB-ja refuzon të bashkëpunojë me organizatën.

Mediat amerikane raportuan për të paktën 22 persona të vrarë në Gazë gjatë natës midis të premtes dhe të shtunës.

 

QËNDRONI TË LIDHUR