• e premte, 05 dhjetor 2025

Mbi një milion njerëz dolën në protesta në qytetet franceze kundër masave buxhetore për kursim, pohon sindikata Se-Zhe-Te

Mbi një milion njerëz dolën në protesta në qytetet franceze kundër masave buxhetore për kursim, pohon sindikata Se-Zhe-Te

Paris, 18 shtator 2025 (MIA) - Mbi një milion njerëz në të gjithë Francën morën pjesë sot në demonstratat e organizuara nga tetë sindikata franceze në një përpjekje për të ndikuar te kryeministri i ri dhe vendimet e tij për buxhetin, njoftoi sindikata Se-Zhe-te (CGT), një nga dy sindikatat kryesore.

Ky numër është më i madh se ata që dolën gjatë demonstratave të fundit të mëdha kundër reformës së pensioneve në qershor të vitti 2023, kur, sipas të njëjtës sindikatë, u mblodhën 900,000 njerëz.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë informacion mbi numrin e personave në demonstrata.

Mediat amerikane raportojnë se grevat e transportit u organizuan gjatë gjithë ditës, duke ndikuar në funksionimin e metrosë së Parisit, ngadalësimin e trafikut dhe bllokadat në shenjë proteste kundër qeverisë së presidentit Emanuel Makron dhe propozimit të tij për të ulur fondet për shërbimet publike që mbështesin mënyrën franceze të jetesës.

Gazi i parë lotsjellës u dëgjua para agimit, në përleshjet midis policisë me pajisje speciale dhe protestuesve në Paris.

Në të gjithë Francën, për sot u njoftuan 250 tubime si pjesë e aksionit qytetar "Blloko gjithçka" të nisur në rrjetet sociale, ndërsa sindikatat njoftuan një "ditë të zezë" me greva, ndërprerje në shkolla dhe trafik.

Qindra mijëra njerëz pritej të mobilizoheshin për të shprehur zemërimin për varfërinë në rritje, pabarazinë në zgjerim dhe vështirësitë e punëtorëve me paga të ulëta për të siguruar jetesën.

GRÈVE / 18 SEPTEMBRE : Des heurts éclatent à #Rennes en marge de la manifestation. #greve18septembrepic.twitter.com/TzotVgIecW

— Infos Françaises (@InfosFrancaises) September 18, 2025

Kjo është dita e dytë e mobilizimit në tetë ditët e fundit, pas demonstratave "Blloko gjithçka" më 10 shtator. Tetë sindikata kanë bërë thirrje për protesta edhe sot.

Sindikatat që bënë thirrje për grevë po kërkojnë braktisjen e shkurtimeve të propozuara në buxhet, ngrirjen e përfitimeve sociale dhe masa të tjera për kursim.

Ata besojnë se këto masa do të godasin më tej xhepat e punëtorëve me paga të ulëta dhe njerëzve të klasës së mesme, dhe dy qeveri kanë rënë tashmë për shkak të kësaj.

Grevat synojnë të rrisin presionin mbi kryeministrin e ri Sebastian Lekorni, i cili u emërua nga Makron javën e kaluar. Makron e ka ngarkuar atë me sigurimin e mbështetjes parlamentare për masat  e kursimit që kanë rrëzuar paraardhësit e tij.

Punëtorët grevistë të hekurudhave sulmuan shkurtimisht selinë e Ministrisë së Ekonomisë në Paris, duke lënë pas tym në ajër.

Qeveria njoftoi se po vendoste një numër jashtëzakonisht të madh të policëve, rreth 80,000, për të ruajtur rendin. Policisë iu dha urdhër të largonte bllokadat e trafikut dhe përpjekjet e tjera për të penguar ata që nuk protestonin të bënin punën e tyre.

Policia e Parisit përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë bllokadën në një stacion autobusësh herët këtë mëngjes.

Des milliers de personnes dans le centre ville de #Nantes pour la manifestation du #18septembre. Le cortège s'élance dans les rues. pic.twitter.com/fJnQJm66fa

— Theo Prn (@Theop_rn) September 18, 2025

Televizioni francez raportoi për përleshje sporadike në qytetin perëndimor Nant dhe në Lion, në juglindje, ku u përdor gaz lotsjellës dhe protestuesit hodhën objekte të ndryshme drejt policisë.

Sipas raportit të fundit nga Ministria franceze e Punëve të Brendshme, 140 persona janë arrestuar në të gjithë vendin, 75 prej të cilëve janë në paraburgim policor, përfshirë 16 në Paris.  Në trazira gjithashtu u lënduan tetë policë, raportoi "La Parisien".  sa/

QËNDRONI TË LIDHUR