• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mbi 700 viktima në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit

Mbi 700 viktima në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit

Tel Aviv, 8 tetor 2023 (MIA) - Numri i qytetarëve izraelitë të vrarë në sulmin e Hamasit kundër shtetit hebre ka tejkaluar 700 persona, raportojnë mediat izraelite, duke iu referuar autoriteteve shëndetësore. Deri tani në Izrael janë plagosur më shumë se 2.100 persona.

Forcat izraelite vazhdojnë të luftojnë kundër militantëve të Hamasit.

Në Rripin e Gazës, territor palestinez nën kontrollin e Hamasit që nga viti 2007, sipas autoriteteve lokale, jetën e kanë humbur 370 palestinezë, ndërsa rreth 2.000 janë plagosur.

Ushtria izraelite ka dislokuar dhjetëra mijëra trupa për ta kthyer kontrollin e zonave jugore afër Rripit të Gazës dhe për të shpëtuar pengjet e mbetura izraelite dhe për të evakuuar të gjithë banorët deri nesër në mëngjes. Gjithashtu sot u publikua se Hamasi mban mbi 100 pengje në Rripin e Gazës.

Në përpjekje për të rimarrë kontrollin pas ofensivës së papritur mëngjesin e së shtunës, në mes festës hebraike Shabat, forcat izraelite vazhduan sot ndjekjen e Hamasit i cili është infiltruar në jug të Izraelit dhe ka kryer sulme ajrore në caqet në Rripin e Gazës.

"Do të vrasim çdo terrorist të pranishëm në Izrael", tha zëdhënësi ushtarak, Daniel Hagari.

Ushtria izraelite njoftoi se kishte rimarrë kontrollin e stacionit të policisë në Sderot pasi kumtoi se kishte "neutralizuar 10 terroristë" që ndodheshin atje.

“Faza e parë përfundoi me eliminimin e shumicës dërrmuese të forcave armiqësore që hynë në territorin tonë”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, duke paralajmëruar se lufta mund të jetë “e gjatë dhe e vështirë”.

Kryeministri i Izraelit vlerësoi se ajo që ndodhi tani është e paprecedentë.

Ofensiva e Hamasit filloi 50 vjet e një ditë pas luftës izraelito-arabe një vitin 1973 e cila gjithashtu befasoi Izraelin dhe la 2600 izraelitë të vdekur për tre javë luftime.

Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Al-Kasam të shtunën publikoi se kishte nisur operacionin Bura al Aksa kundër Izraelit dhe se janë lëshuar më shumë se 5000 raketa për "t'i dhënë fund krimeve të okupatorit".

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor që nga viti 1967, ndërsa Rripi i Gazës është nën bllokadë për më shumë se 15 vjet.

Është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, ushqim dhe nevoja të tjera në Gaza.

Sulmi i Hamasit u dënua nga vendet perëndimore dhe së shpejti pritet që SHBA të publikojnë ndihmën e re ushtarake për Izraelin, ndërsa sot do të mbahet mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurisë së OKB-së për situatën ushtarake.

Ofensiva filloi teksa SHBA po negocionte normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, gjë që ishte dënuar nga Hamasi.

 

QËNDRONI TË LIDHUR