• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Mbahet sesioni i fundit "Gjenerata e ardhshme e Ballkanit Perëndimor" në kuadër të Forumit të Prespës për dialog 2022

Mbahet sesioni i fundit

Shkup, 17 qershor 2022 (MIA) - Në kuadër të edicionit të dytë të Forumit të Prespës për Dialog 2022, u mbajt sesioni i fundit me titull: “Gjenerata e ardhshme e Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Zyrën për Bashkëpunim Rinor Rajonal (RYCO) dhe Unioni Rinor – Krushevë.

Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme në këtë pjesë të sesionit u trajtuan temat për forcimin e rolit të të rinjve si faktor ndryshimi dhe aktivistë, të cilët janë forcë lëvizëse për ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme. Ata diskutuan gjithashtu qasjen e gjeneratave të ardhshme nga Ballkani Perëndimor ndaj sistemit të vlerave të BE-së, si dhe përfshirjen e tyre aktive në procesin e hartimit të politikave rinore.

Në sesion folësit kryesorë ishin Bisera Kostadinovska-Stojçevska, Ministre e Kulturës, Sekretar i Shtetit për Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë, Imzot Paul Richard Gallagher, Zoran Popov, Sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Albert Hani, Sekretar i Përgjithshëm i RYCO. Fjalime mbajtën edhe përfaqësues nga zyrat rajonale të RYCO, Unioni Rinor Krushevë, si dhe këshilltari nga zyra e Presidentit për çështje të rinisë dhe përfaqësues nga Agjencia për Rini dhe Sport.

Sekretari i Shtetit, Zoran Popov, në fjalën e tij hyrëse theksoi se viti 2022 është vit në të cilin të gjithë së bashku duhet të ofrojmë kushte më të mira dhe të ardhme për të rinjtë në vend. Duke u përballur me shumë sfida, ai bëri thirrje për mbështetje nga nismat kryesore rajonale si RCC dhe RYCO për t'u ofruar të rinjve përgjigjen që ata kërkojnë dhe meritojnë. E ardhmja e gjeneratave të reja në Ballkanin Perëndimor është në pikëpyetje dhe në masë të madhe do të varet nga progresi në procesin eurointegrues të rajonit.

Albert Hani, Sekretar i Përgjithshëm i RYCO, theksoi se “Lidhja e të rinjve është një nga investimet më të rëndësishme që mund të ndihmojë në forcimin e tolerancës reciproke, pajtimit dhe dialogut ndërkulturor. Nuk ka dyshim se të rinjtë janë dhe do të vazhdojnë të jenë lojtarë kyç kur bëhet fjalë për ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme dhe paqësore.

“Dua të inkurajoj të rinjtë që të kenë një vizion për vendin dhe rajonin e tyre dhe të punojnë drejt realizimit të tij”, porositi Sekretari i Shtetit për Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë, Imzot Paul Richard Gallagher,

Ministrja e Kulturës Kostadinovska-Stojçevska apeloi tek të rinjtë që të jenë të hapur për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave. 

“Mos ia lejoni vetes të humbni kohë në gabimet e të tjerëve. Mos e kërkoni të ardhmen në të kaluarën. Jetoni tani dhe tani kërkoni mënyra për ta afruar Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian me mendjet dhe zemrat tuaja të pastra", deklaroi ministrja e Kulturës.  fb/

QËNDRONI TË LIDHUR