• e hënë, 23 dhjetor 2024

Marta Kos, propozimi i ri slloven për eurokomisare

Marta Kos, propozimi i ri slloven për eurokomisare

 Lubjanë, 10 shtator 2024 (MIA) - Ish-ambasadorja sllovene në Gjermani dhe në Zvicër, Marta Kos është kandidate e re e Sllovenisë për eurokomisare. 

 Në vitin 2022 Kos ishte nominuar për presidente e Sllovenisë si kandidate e Lëvizjes Liberale për Liri (GS) të kryeministrit slloven Robert Golob, por u tërhoq nga gara që para zgjedhjeve. Aktualisht ajo është e angazhuar si këshilltare në zyrën e Brukselit të agjencisë së lobit Krib.

 Kos do të zëvendësojë ish-kreun e Gjykatës Sllovene të Revizorëve, Tomazh Vesel, i cili të premten e tërhoqi kandidaturën për eurokomisar. Tërheqja e Vesel pasoi pas informacioneve se kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen ka kërkuar nga disa shtete anëtare që të zëvendësojnë kandidatët e tyre të propozuar burra me gra, me qëllim që të arrihet sa më shumë barazi gjinore në organin e ri ekzekutiv të BE-së. Më parë edhe Rumania e zëvendësoi kandidatin e saj për eurokomisar me një kandidate femër.

 Me nominimin e Kos, në Komisionin e ri Evropian do të kishte maksimum 11 gra nga gjithsej 27 anëtarë.

 Për nesër është planifikuar takimi i Fon der Lajenit me kryetarët e grupeve parlamentare në Parlamentin Evropian, kushtuar përbërjes së propozuar të Komisionit të ri Evropian dhe pritet që ajo të shpallë listën përfundimtare të komisarëve europianë dhe resoret me të cilat ato do të udhëheqin. Më pas do të ketë dëgjim dhe miratim të kandidatëve për komisarë evropianë në komisionet përkatëse të Parlamentit Evropian, pas së cilës evrodeputetët duhet të votojnë në seancë plenare për zgjedhjen e Komisionit të ri Evropian. E gjithë procedura pritet të përfundojë në gjysmën e dytë të tetorit. qa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR