• e hënë, 23 dhjetor 2024

Marinakis: Ekziston vetëm një interpretim i erga omnes

Marinakis: Ekziston vetëm një interpretim i erga omnes

Athinë, 25 qershor 2024 (MIA) – Nuk mund të jetë selektive zbatimi i të drejtës ndërkombëtare dhe kjo është diçka që nuk do të tolerohet nga pala greke. Ne kërkojmë qartë dhe zëshëm, pa lëshime, respektim të asaj që është dakorduar dhe ky është një qëndrim nga i cili nuk do të bëjmë asnjë lëshim, tha zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis në konferencën e sotme të rregullt me ​​gazetarët, ndërsa tha se ekziston vetëm një interpretim i erga omnes, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Duke u përgjigjur në pyetjen e MIA-s rreth asaj nëse Micotakisi do ta urojë Mickoskin, tani që edhe zyrtarisht Qeveria e re ka bërë betimin, Marinakis theksoi se Greqia në kuadër të marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet i përmbahet protokolleve, por edhe përsëriti qëndrimet greke.

"Është fakt i përgjithshëm, pa pasur informacion konkret, se vendi ynë si shtet dëshiron, përpiqet për marrëdhënie të mira fqinjësore, përpiqet për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, veçanërisht kur ato janë vende fqinje, respektojnë të gjitha protokollet për çdo procedurë, pavarësisht nëse është proces zgjedhor apo betim i Qeverisë. Por përsëris, sepse ka disa keqinterpretime të reja se çfarë do të thotë erga omnes, është e qartë, nuk ka shumë interpretime, ka një interpretim sipas të drejtës ndërkombëtare dhe në këtë moment me disa formulime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare si duket Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk e respekton. Ne presim të shohim nëse do të harmonizohet", tha Marinakis.

Në lidhje me mundësinë për takim të parë tet-a-tet mes kryeministrave të dy vendeve në margjinat e Samitit të NATO-s në Uashington pas dy javësh, në pyetjen e korrespondentes së MIA-s nga Athina, zëdhënësi i qeverisë u përgjigj se nëse dakordohet një gjë e tillë do të bëhet e ditur, por që për momentin nuk di diçka më shumë.

Mediat në Greqi mbrëmë kanë transmetuar qëndrimet e kryeministrit Hristian Mickoski dhënë në intervistën për TV24, veçanërisht pjesën ku ai komenton deklaratën e djeshme të ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë dhe thekson se "ose nuk e kupton Marrëveshjen e Prespës ose e lexon gabimisht atë”.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR