• e enjte, 04 dhjetor 2025

Maqedonia e Veriut për herë të parë pajiset me Qendër kombëtare për inteligjencë artificiale, qëllimi i parë është ndërtimi i modelit të gjuhës maqedonase

Maqedonia e Veriut për herë të parë pajiset me Qendër kombëtare për inteligjencë artificiale, qëllimi i parë është ndërtimi i modelit të gjuhës maqedonase

Shkup, 14 tetor 2025 (MIA) - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot publikoi se vendi ynë po merr Qendrën e parë kombëtare për inteligjencë artificiale "VEZILLKA: Fabrikë dhe antenë kombëtare e IA-së" (Al Antenna Factory) e cila po realizohet me mbështetjen e Ministrisë dhe me ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian përmes programit Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC. 

"Ky është projekt kapital me rëndësi historike dhe domethënie kombëtare. Një faqe e re në zhvillimin digjital të Maqedonisë në të cilën Qeveria, universitetet dhe industria ndërtojnë së bashku një Sistem kombëtar të inteligjencës artificiale. Bartës i projektit është Fakulteti i shkencave të informatikës dhe inxhinierisë kompjuterike (FSHIIK) në USHCM në Shkup, me mbështetje të fuqishme institucionale nga Ministria e Transformimit digjital dhe Qeveria", theksoi Andonovski. 

Projekti "Vezillka" është zgjedhur për financim përmes programit Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, dhe vlera totale është pak më pak se gjashtë milionë euro. Financohet nga BE-ja me bashkëfinancim nga ministria, Qeveria dhe FSHIIK. 

"Me këtë projekt, Maqedonia pozicionohet si pjesë aktive nga rrjeti evropian i qendrave të inteligjencës artificiale, që paraqet një hap të madh përpara për bashkësinë tonë shkencore dhe teknologjike. Siç theksoi dje kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, BE-ja ka pranuar se kapaciteti i fuqisë së super kompjuterëve dhe infrastrukturës së inteligjencës artificiale është një parakusht themelor për autonominë teknologjike dhe konkurrueshmërinë. Në këtë drejtim ajo paralajmëroi se këto fabrika të Inteligjencës artificiale do të hapen edhe për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe antena si në Maqedoni dhe në Serbi", tha Andonovski. 

Siç sqaroi ai, "Vezillka" është planifikuar të funksionojë si qendër shoqëruese e fabrikës Evropiane të inteligjencës artificiale (FAROS), me seli në Greqi. Ky partneritet, sipas Andonovskit, do të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë në super kompjuterët evropianë dhe hapësirat e të dhënave të avancuara që do të jenë në dispozicion të institucioneve publike, startapeve, kompanive dhe hulumtuesve. rq/

Foto: MIA.

QËNDRONI TË LIDHUR