• e premte, 05 dhjetor 2025

MANIVAL: Shkupi ka bërë progres në forcimin e kornizës në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

MANIVAL: Shkupi ka bërë progres në forcimin e kornizës në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Bruksel, 25 qershor 2025 (MIA) - Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë përparim në forcimin e kornizës së saj ligjore dhe institucionale për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, por duhet të bëjë përpjekje shtesë për të tejkaluar mangësitë e mbetura, theksohet në raportin e Komitetit të ekspertëve për vlerësimin e masave për luftë kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të Këshillit të Evropës (MANIVAL).

Në Raportin e publikuar sot, theksohet se vendi ka bërë përmirësime në kornizën e saj ligjore dhe institucionale, veçanërisht në përputhje me katër rekomandimet kryesore nga Grupi i punës për veprim financiar (FATF).

"Këto përfshijnë rregullat për transfertat bankare, kontrollet e brendshme dhe mbikëqyrjen e filialeve të huaja, transparencën në lidhje me atë se kush posedon fondet dhe marrëveshje të ngjashme ligjore dhe rregullimin e institucioneve financiare", thuhet në raport.

Nga gjithsej 40 rekomandime të lëshuara nga FATF, 31 janë vlerësuar si të "harmonizuara" ose "në masë të madhe të harmonizuara" dhe 9 si "pjesërisht të harmonizuara".

"Megjithatë, progresi në mbikëqyrjen e sektorit financiar nuk ishte i mjaftueshëm për të ndryshuar statusin e tij dhe ai mbetet 'pjesërisht i harmonizuar", thekson MANIVAL.

Në Raport theksohet mes tjerash se disa fusha, si ngrirja dhe konfiskimi i aseteve kriminale, veprat penale për financimin e terrorizmit dhe sanksionet që lidhen me përhapjen e armëve bërthamore, nuk u rivlerësuan në këtë periudhë, sepse vendi nuk ka kërkuar shqyrtim të këtyre vlerësimeve.

Bazuar në rekomandimet e këtij vlerësimi, vendi pas një viti duhet t'i paraqesë raport deri te MANIVAL për progresin e mëtejshëm në forcimin e masave për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Komiteti i ekspertëve për vlerësimin e masave për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit (MANIVAL) është organ i përhershëm i Këshillit të Evropës me kompetenca për vlerësim të situatës në 32 vende dhe territore - 28 shtete anëtare të Organizatës, Vatikani, Izraeli dhe territoret britanike të Gjibraltarit, Man dhe Xhersi.

Ky organ është formuar në vitin 1997 me emrin Komiteti i ekspertëve të zgjedhur për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe mban emrin e tij aktual që nga viti 2002. Detyra e tij është të vlerësojë harmonizimin me standardet kryesore ndërkombëtare për luftë kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe efikasitetin e zbatimit të tyre, mbi bazën e të cilave lëshon raporte vlerësimi me rekomandime për autoritetet kombëtare për përmirësime në sistemet e tyre.

Foto: Këshilli i Evropës

 

QËNDRONI TË LIDHUR