• e premte, 05 dhjetor 2025

Mandatari i ri për Qeverinë e Kosovës Glauk Konjufca është një nga personalitetet kyçe të Vetëvendosjes

Mandatari i ri për Qeverinë e Kosovës Glauk Konjufca është një nga personalitetet kyçe të Vetëvendosjes

Prishtinë, 4 nëntor 2025 (MIA) – Lëvizja Vetëvendosje sot e propozoi ish kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetar i parë i partisë, Glauk Konjufca, si mandatar të dytë për formimin e Qeverisë së Kosovës. 

Vendimi për kandidaturën e Konjufcës për mandatar është marrë në mbledhjen Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, pasi kryetari i lëvizjes, Albin Kurti, të dielën nuk arriti të sigurojë numër të mjaftueshëm të votave që të bëhet kryeministër. 

Nesër, më 5 nëntor, skadon afati prej 10 ditëve në të cilin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të emërojë kandidat të dytë për kryeministër ose të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme. 

Konjufca, duke e pranuar kandidaturën për mandatar, deklaroi se e pranon atë propozim me qëllim që të shmangen dy cikle të njëpasnjëshme zgjedhore dhe të miratohet buxheti për vitin 2026. 

“Duhet ta pranoj këtë emërim të Këshillit të Përgjithshëm. E bëj këtë nga detyrimi që na shndërron në shërbëtorë të interesit publik. Vetëvendosja e ka përcaktuar këtë interes mbi dy shtylla në rrethanat aktuale. Së pari, shmangia e zgjedhjeve të reja brenda tre muajve dhe së dyti, miratimi i buxhetit të vitit 2026, pa të cilin aspekte jetësore të jetës së qytetarëve tanë do të rrezikoheshin”, tha ai.

Konjufca përkujtoi se është e patjetërsueshme të sigurohet pagesa e 80.000 pagave në sektorin publik, pensioneve dhe shtesave për fëmijë. 

“Do të ishte e pafalshme për ne të humbisnim mundësinë për të marrë qindra miliona euro përfitime për shkak të tekave të partive politike, vetëm për t'u mburrur se po shkojmë në zgjedhje. Na presin edhe dy procese - RTK mbeti pa paga, ndërsa gjithashtu nuk ka afat shtesë për buxhetin e tri komunave”, tha ai.

Konjufca tha se tani e kanë radhën partitë politike të vendosin nëse do të shmangin zgjedhjet e jashtëzakonshme. 

“Të gjithë jemi nën thjerrëzën e popullit, por më duket se gara e gjykimit këtë herë do të jetë më e mprehtë se më parë”, tha ai. 

Konjufca është anëtar i Vetëvendosjes që nga formimi i lëvizjes dhe është një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kreut të partisë, Albin Kurti. Ai u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 2010, dhe më pas shërbeu si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga viti 2011 deri në vitin 2014. Në disa përbërje parlamentare, ai ishte kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes dhe anëtar i disa komisioneve parlamentare.

Pas zgjedhjeve në vitin 2019, Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, përderisa në mandatin e parë të Qeverisë së Albin Kurtit ishte ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës. 

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vitin 2021, deri në fund të mandatit të përbërjes së tetë të parlamentit të Kosovës e kryente funksionin kryetar i Kuvendit të Kosovës, ndërsa nga mesi i marsit deri në fillim të prillit të vitit 2021 ishte edhe ushtrues detyre president i Kosovës. 

Gjatë kryerjes së të gjitha funksioneve, Konjufca tregoi gatishmëri për të bashkëpunuar me të gjitha subjektet politike, prandaj ai gëzon respekt nga shumica e partive politike në Kosovë, saqë edhe nga deputetët e partive opozitare ai u përmend si kandidat i pranueshëm. fc/

Foto: Glauk Konjufca në Fejsbuk

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR