• e hënë, 23 dhjetor 2024

Maliar: Ushtria ukrainase për një javë çliroi një territor prej 37 kilometrash katrorë 

Maliar: Ushtria ukrainase për një javë çliroi një territor prej 37 kilometrash katrorë 

Kiev, 3 korrik 2023 (MIA) – Ushtria ukrainase për një javë rimori një territor prej 37 kilometra katrorë nga forcat ruse në lindje dhe jug të vendit, si pjesë e kundërofensives që po e kryen në këto zona, deklaroi sot zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Gana Maliar.

Ajo tha se në jug të vendit, territoret e çliruara janë shtuar për 28,4 kilometra katrorë, duke e çuar sipërfaqen totale të rikthyer në këtë zonë në 158 kilometra katrorë në kundërofensivën e nisur në fillim të qershorit.

Në lindje të vendit, vetëm nëntë kilometra katrorë janë rimarë nga rusët, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes.

"Armiku po ofron rezistencë të fortë, një luftë shumë e vështirë është duke u zhvilluar", tha Maliar.

Ajo tha gjithashtu se forcat ruse filluan një ofensivë në fund të javës së kaluar pranë Svatova, në rajonin lindor Lugansk, dhe shtoi se rusët po përpiqeshin të përparonin në Liman, një qytet në rajonin Doneck që ushtria ukrainase e rimori vjeshtën e kaluar.

Komandanti i ushtrisë ukrainase, gjenerali Valeri Zaluzhni, vlerësoi se trupat e tij ishin të kufizuara në kundërsulmin e tyre nga dërgimi i ngadaltë i armëve perëndimore dhe mungesa e avionëve luftarakë. Këtë ai e ka thënë në një intervistë të premten për gazetën amerikane “Uashington Post”.

"Për t'iu kundërvënë Moskës, Ukrainës i duhen avionët luftarakë F-16 sa më shpejt të jetë e mundur", tha gjenerali ukrainas, duke shtuar se ushtrisë së tyre i mungonte gjithashtu artileria për të kundërshtuar sulmet e fuqishme ruse.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë Amerikane Mark Mili tha të premten se SHBA-ja do t'i ofronte Ukrainës të gjithë ndihmën që i nevojitet dhe pranoi se kundërsulmi "po shkonte më ngadalë se sa ishte planifikuar". ls/

QËNDRONI TË LIDHUR