Mali i Zi kërkoi ndihmë nga NATO për shuarjen e zjarrit
- Qeveria malazeze mbrëmë vendosi të kërkojë ndihmë nga NATO-ja për shuarjen e zjarreve pyjore nga ajri, sepse zjarret mbrëmë ende janë përhapur në disa lokacione, duke përfshirë edhe atë rreth Podgoricës, ku gjatë ditës janë djegur disa shtëpi, ndërsa disa zjarrfikës u lënduan.
- Post By Sara Ademi
- 07:51, 12 gusht, 2025
Podgoricë, 12 gusht 2025 (MIA) - Qeveria malazeze mbrëmë vendosi të kërkojë ndihmë nga NATO-ja për shuarjen e zjarreve pyjore nga ajri, sepse zjarret mbrëmë ende janë përhapur në disa lokacione, duke përfshirë edhe atë rreth Podgoricës, ku gjatë ditës janë djegur disa shtëpi, ndërsa disa zjarrfikës u lënduan.
"Sipas vlerësimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, burimet e qasshme momentale nuk janë të mjaftueshme për shuarje efikase të zjarreve, veçanërisht në zonat vështirë të arritshme dhe në kushte të temperaturave të larta, erërave të forta dhe thatësirës", njoftoi qeveria.
Sipas raporteve, për momentin zjarre aktive ka në komunat Podgoricë, Budva, Bar, Nikshiq, Shavnik dhe Bijelo Polje, ndërsa rruga kryesore Podgoricë-Nikshiq është mbyllur për komunikacion.
Në kumtesë shtohet se aeroplanët dhe helikopterët e zjarrfikësve punojnë me kapacitet të plotë, por për shkak të vëllimit të zjarreve dhe mundësive teknike të kufizuara, nuk mund të përgjigjen në të gjitha kërkesat.
"Parashikimi i Entit Hidrometeorologjik tregon në vazhdimin e kushteve kohore të pavolitshme në ditët në vijim", citohet në kumtesë.
Kryeministri malazez, Milojko Spajiq, tha se qeveria e Malit të Zi do ta sigurojë gjithë ndihmën e nevojshme të qytetarëve të cilët kanë pësuar dëm nga zjarret, me qëllim që të sanohen pasojat dhe të kthehet ajo që është humbur.
"Jam i vetëdijshëm për peshën e humbjeve që kanë pësuar qytetarët tanë. Qeveria e Malit të Zi do të jetë me ju - ne do të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme për të riparuar pasojat dhe për të rikthyer atë që është humbur. Këto sfida janë të vështira, por ne do t'i kapërcejmë ato së bashku, me besim në forcën dhe unitetin e komunitetit tonë", shkroi Spajiq në X.
Ai shtoi se zjarret në disa lokacione në vend kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale për qytetarët dhe komunitetet.
"Fatkeqësisht, zjarrfikësit tanë - njerëz që qëndrojnë me vetëmohim dhe guxim në vijën e parë të mbrojtjes së jetës dhe pronës çdo ditë - janë lënduar gjithashtu. Shpreh mirënjohjen time të sinqertë dhe respektin tim të thellë për ta për sakrificën dhe guximin që tregojnë", tha ai.
Spajiq, gjithashtu falënderoi Kroacinë, Serbinë, Slloveninë, Bashkimin Evropian dhe NATO-n për ndihmën e tyre në shuarjen e zjarrit.
"Mbështetja juaj në këto momente do të thotë shumë për vendin dhe popullin tonë", përfundoi Spajiq. sa/
foto: MIA