Makron: Zemërimi amerikan duhet të jetë i drejtuar vetëm drejt Putinit
- Presidenti francez Emanuel Makron tha se presidenti rus Vladimir Putin është i vetmi person që qëndron në rrugën e propozimit të paqes të mbështetur nga SHBA-ja dhe Evropa.

Paris, 24 prill 2025 (MIA) - Presidenti francez Emanuel Makron tha se presidenti rus Vladimir Putin është i vetmi person që qëndron në rrugën e propozimit të paqes të mbështetur nga SHBA-ja dhe Evropa.
“Gjithçka që duhet të bëjë presidenti Putin është të ndalojë më në fund të gënjejë”, deklaroi Makron gjatë vizit[ëës në Madagaskar. “Ai u thotë negociatorëve amerikanë se dëshiron paqe, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdon të bombardojë Ukrainën”, shtoi ai.
Makron theksoi se ukrainasit duan të dëgjojnë vetëm një pyetje: a pranon Putini një armëpushim pa kushte? Sipas tij, "nëse Putini thotë "po", armët mund të heshtin që nesër dhe jetë të shpëtohen". Ai tha: "Zemërimi amerikan duhet t'i drejtohet vetëm një personi - Presidentit Putin".
Deklarata e Makronit vjen një ditë pasi Presidenti amerikan Donald Tramp e akuzoi presidentin ukrainas Volodimir Zelenski se e refuzon paqen dhe tha se ai kishte një zgjedhje midis "paqes ose tre vite të tjera të luftës". Megjithatë, sot Tramp iu drejtua drejtpërdrejt Putinit me fjalët: "Vladimir, NDALU! Në javë vdesin nga 5.000 ushtarë. Ta përfundojmë marrëveshjen paqësore!”.
Presidenti francez theksoi gjithashtu se ZelenskI nuk mund të pranojë një armëpushim ndërkohë që sulmet ndaj Kievit vazhdojnë. Kjo deklaratë vjen pasi Rusia kreu sulmin e saj më të rëndë në kryeqytetin ukrainas këtë vit, duke përdorur 145 dronë dhe 70 raketa. Në sulmet u vranë të paktën 12 persona, ndërsa më shumë se 90 u plagosën. Sulmet shkaktuan zjarre dhe shembjen e ndërtesave në pesë lagje të qytetit, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar nën rrënoja.
Zelenski deklaroi më parë se Ukraina është gati për bisedime paqësore me Rusinë, por vetëm pasi të vendoset një armëpushim dhe të pushojnë sulmet ndaj objektivave civile. Ai theksoi edhe një herë se Ukraina nuk do ta njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia, pasi kjo do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Ukrainës. ls/
Foto: Arkiv