Makron pas dështimit të bisedimeve Tramp-Zelenski: Ka një agresor dhe ajo është Rusia
- Presidenti i Francës, Emanuel Makron deklaroi sonte pas ndërprerjes së bisedës mes presidentëve të SHBA-së dhe Ukrainës në Shtëpinë e Bardhë, se ekziston një “agresor – Rusia dhe njerëzit që po sulmohen në Ukrainë”.
- Post By Fami Bajrami
- 20:53, 28 shkurt, 2025

Porto, 28 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti i Francës, Emanuel Makron deklaroi sonte pas ndërprerjes së bisedës mes presidentëve të SHBA-së dhe Ukrainës në Shtëpinë e Bardhë, se ekziston një “agresor – Rusia dhe njerëzit që po sulmohen në Ukrainë”.
"Ka një agresor, ajo është Rusia, ka një popull që sulmohet, ajo është Ukraina", deklaroi Makroni para gazetarëve në Portugali para përfundimit të vizitës së tij në vend.
"Mendoj se kishim të drejtë që ndihmuam Ukrainën dhe sanksionuam Rusinë tre vjet më parë dhe vazhduam ta bëjmë këtë", shtoi presidenti francez.
Ka reaguar edhe kryeministri polak, Donald Tusk i cili në rrjetin social “X” u shkroi Zelenskit dhe ukrainasve se “nuk janë vetëm”.
Presidenti amerikan, Donald Tramp sonte ka ndërprerë takimin me homologun e tij ukrainas Volodimir Zelenski në Shtëpinë e Bardhë, ku të dy duhej të nënshkruanin marrëveshje në kuadër të shfrytëzimit të burimeve minerale të Ukrainës.
Trampi i tha Zelenskit se presidenti ukrainas kishte treguar mungesë respekti për Shtetet e Bashkuara.
Siç transmetuan agjencitë botërore, Zelenski është larguar nga Shtëpia e Bardhë.
Foto: EPA