Makron paralajmëroi se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për Gazën, mbreti jordanez bëri thirrje për kthimin e armëpushimit
- Presidenti i Francës, Emanuel Makron sot deklaroi se sulmet e reja izraelite ndaj Gazës paraqesin një hap dramatik prapa dhe paralajmëroi se nuk kishte zgjidhje ushtarake për territorin palestinez.
- Post By Fami Bajrami
- 15:19, 19 mars, 2025

Paris, 19 mars 2025 (MIA) - Presidenti i Francës, Emanuel Makron sot deklaroi se sulmet e reja izraelite ndaj Gazës paraqesin një hap dramatik prapa dhe paralajmëroi se nuk kishte zgjidhje ushtarake për territorin palestinez.
"Është thelbësore që armiqësitë të ndërpriten menjëherë dhe që negociatat të vazhdojnë me mirëbesim nën kujdesin amerikan”, tha presidenti francez në një konferencë shtypi me mbretin jordanez Abdullah i Dytë të cilin e takoi në Pallatin e Eliseut.
"Apelojmë për ndërprerje të përhershme të armiqësive dhe lirimin e të gjithë pengjeve nga lëvizja islamike palestineze Hamas në Gazë", shtoi Makron.
Mbreti Abdullah i Jordanisë, gjithashtu dënoi "fazën jashtëzakonisht të rrezikshme" dhe shtoi se ishte një shkatërrim i ri në një situatë tashmë katastrofike humanitare. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të veprojë menjëherë për të siguruar kthimin e armëpushimit.
Izraeli i cili është i vendosur të detyrojë Hamasin të pranojë lirimin e më shumë pengjeve, ka filluar sulmet e rënda ndaj Gazës, më të rëndat që nga fillimi i armëpushimit më 19 janar ku humbën jetën 413 persona, kumtoi Ministria e Shëndetësisë në Gazë. Sulmet izraelite në Gazë vazhduan edhe sot.
Presidenti francez tha se vazhdimi i konfliktit është dramatik për palestinezët në Gazë të cilët përsëri janë nën terrorin e bombardimeve, është dramatike për pengjet dhe familjet e tyre të cilët jetojnë në një makth pritjeje, ndërsa është gjithashtu dramatike për të gjithë rajonin i cili po përpiqet të rimëkëmbet pas një viti lufte dhe përçarje.
Makron vlerësoi se Hamasi ishte mposhtur dhe privuar nga mbështetja që e shtyu të kryente krimin e 7 tetorit të vitit 2023, gjatë sulmit ndaj Izraelit, në aludim për Iranin.
"Boshti i rezistencës sot është një iluzion", tha Makron, duke iu referuar Teheranit dhe aleatëve të tij në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Hamasin dhe lëvizjen libaneze Hezbollah, të cilët janë dobësuar ndjeshëm nga sulmet izraelite.
Presidenti francez bëri thirrje që të gjendet sërish një rrugë drejt një zgjidhje politike dhe mbështeti planin e liderëve arab për Gazën i cili propozon një kornizë të besueshme për rikonstruim, elementë për të garantuar sigurinë dhe formimin e një qeverie të re që nuk mund të përfshijë Hamasin.
Ai kujtoi se në qershor do të bashkëkryesojë me një konferencë në Kombet e Bashkuara për dy shtete, izraelite dhe palestineze, së bashku me princin saudit të kurorës Mohamed bin Salman me të cilin është planifikuar të bisedojë edhe sonte. rq/
Foto: EPA