• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Makron nesër në Poloni: Fokusimi në Ukrainë dhe prioritetet evropiane

Makron nesër në Poloni: Fokusimi në Ukrainë dhe prioritetet evropiane

Paris, 11 dhjetor 2024 (MIA) - Presidenti francez, Emanuel Makron nesër do të vizitojë Poloninë për të diskutuar mbështetjen evropiane për Ukrainën pas takimeve me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së Donald Tramp dhe homologun ukrainas, Vollodimir Zelenski, kumtoi Pallati i Eliesut.

Makron do të takohet me kryeministrin polak, Donald Tusk për të diskutuar ndihmën evropiane për Ukrainën në kontekstin e ri transatlantik dhe në prag të presidencës së Polonisë me Këshillin e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2025.

Tusk konfirmoi se Makron do ta informojë për rezultatet e takimeve me Trampin dhe Zelenskin, të përshkruara si "të shkurtra, por të rëndësishme". Donald Tramp, i cili e merr funksionin më 20 janar, bëri thirrje për një armëpushim dhe negociata për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, një ditë pas takimit me Zelenskin në Paris nën patronazhin e Makronit.

Dje Zelenski shprehu "mirënjohje të thellë" për Trampin për "vendosmërinë e tij të fortë" për t'i dhënë fund luftës me Rusinë.

Makron dhe Tusk do të diskutojnë dhe për samitin e ardhshëm evropian më 19 dhjetor dhe do të konfirmojnë dëshirë për një impuls të ri në marrëdhëniet dypalëshe midis Francës dhe Polonisë.

Franca dhe Polonia kundërshtojnë marrëveshjen e tregtisë së lirë midis BE-së dhe katër vendeve nga Merkosur (Argjentinë, Brazil, Paraguaj dhe Uruguai). Marrëveshja është ende në pritje të ratifikimit nga 15 vende anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian.

Gjatë vizitës, Makron do të takohet edhe me presidentin polak, Andzhej Duda. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR