Makron dëshiron Frankofonia të bëhet "hapësirë e ndikimit diplomatik"
- Presidenti francez, Emanuel Makron deklaroi sot se frankofonia është "hapësirë ndikimi" dhe u bëri thirrje anëtarëve të saj të "punojnë së bashku për ta zhvilluar diplomacinë" e cila i mbron "sovranitetin dhe integritetin territorial" çdokund, "pa standarde të dyfishta" - nga Ukraina deri në Liban.
- Post By Arta Bunjaku
- 18:47, 4 tetor, 2024
Paris, 4 tetor 2024 (MIA) - Presidenti francez, Emanuel Makron deklaroi sot se frankofonia është "hapësirë ndikimi" dhe u bëri thirrje anëtarëve të saj të "punojnë së bashku për ta zhvilluar diplomacinë" e cila i mbron "sovranitetin dhe integritetin territorial" çdokund, "pa standarde të dyfishta" - nga Ukraina deri në Liban.
"Frankofonia është hapësirë e ndikimit diplomatik që na mundëson të përballemi me sfidat e shekullit", tha ai në hapjen e Samitit të 19-të të Frankofonisë në Qendrën ndërkombëtare për gjuhë franceze në Viler-Kotre, 60 kilometra në veri të Parisit.
"Ky është vend ku së bashku mund të zhvillojmë diplomaci e cila i mbron sovranitetin dhe integritetin territorial në mbarë botën", u tha Makron dhjetëra shefave të shteteve dhe qeverive nga Afrika deri tek Rajoni indo-paqësor.
"Ai është vend i cili e mbron vizionin në të cilin nuk ka vend për standarde të dyfishta, në të cilin çdo jetë është njejtë e vlefshme në të gjitha konfliktet në mbarë botën", shtoi Makron, edhe pse Jugu global shpesh i dënon standardet e dyfishta të Perëndimit në menaxhimin me aferat dhe krizat ndërkombëtare.
"Nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Afërt pa zgjidhje me dy shtete", shtoi lideri francez, duke e përmendur edhe Libanin, "sovraniteti dhe paqja e të cilit sot janë lëkundur".
Duke aluduar në Kinën, pa e përmendur konkretisht, Makron u deklarua edhe për "paqe" në rajonin indo-paqësor, "ku asnjë fuqi nuk duhet ta kontestojë paqen".
Tetëdhjetë e tetë vende dhe qeveri janë anëtare të Organizatës ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF). Për herë të parë pas 33 viteve mbahet samiti në Francë.
Makron bëri thirrje edhe për "rend digjital për mbrojtjen e qytetarëve", për "luftë më efikase kundër dezinformatave, kundër përhapjes së urrejtjes në in ternet, fjalorit racist dhe antisemit të urrjetjes".
Vendet-anëtare të OIF-së e filluan nismën "Thirrje nga Viler-Kotre", e cila u bën thirrje aktorëve digjital kryesorë të "ndërtojnë hapësirë më të sigurt dhe më të llojllojshme dhe të luftojnë kundër tërë këtij fjalori të urrejtjes". ab/
fotо: ЕPА